Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se, të gjitha subjektet e Vetingut, gjyqtarë apo prokurorë qofshin, duhet të vetohen njësoj.

Duke folur në Kuvend për zgjatjen e mandatit të afateve të Vetingut për organet e drejtësisë, Balla tha se, “kam qenë besimplotë që do arrinim ta miratonim së bashku këtë ndryshim kushtetues, duke mos parë asnjëri nga ne llogoret politike, por duke u fokusuar prej fillimit, tek qëllimi i drejtë, se të gjitha subjektet e Vetingut, gjyqtarë apo prokurorë qofshin duhet të vetohen njësoj, nga të njëjtat organe dhe me të njëjtën procedurë. Kjo do të përmbushte kështu edhe të gjitha pritshmëritë e publikut për procesin e Vetingut”.

Balla u shpreh se, “akuzat që u thanë sot për gjoja marrëveshje “over-night” i refuzoj me përbuzje. Duhet ta them prej fillimit, është thjesht dhe vetëm një ndërgjegjësim i të gjithëve për nevojën për të çuar përpara këtë proces. Kush tha që kishte një marrëveshje “over-night” nuk e di që ndryshimet janë depozituar këtu e 4 muaj më parë e që kanë marrë një proces të gjerë e të thellë konsultimi me të gjithë”.