“Fjala licencim fatkeqësisht na kujton edhe prapësi, sekserë, muhabete te kafja e institucionit, rryshfete, stres për atë që do aplikojë, padrejtësi, vonesa, angari, lojra në kurriz të konkurrencës. Ndaj DPSHTRR, pavarësisht vullnetit, suksesit në thjeshtim procedurash e 0 ankesave për vitet 2019-21 mbi praktikat e administruara nga ky ent, ka investuar për një qasje krejt të re me sektorin e certifikim/licencimit të linjave ndërqytetëse, përmes një sistemi të ri operativ e informatik si Platforma Kombëtare e-Transport, që brenda muajit Shkurt del me 8 shërbimet e para online në e-Albania, në ndihmë të operatorëve të sektorit”, thuhet në njoftimin e DPSHTRR-së.
Prej dy vitesh, DPSHTRR po punon për rikonceptimin e plotë të të gjithë administrimit të sektorit të transportit publik rrugor të udhëtarëve me rrjetin e linjave ndërqytetëse.
“Kjo synon zgjidhjen me transparencë dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse e të qendrueshme të plagëve shumëvjeçare të këtij sektori në lëngim, si dhe t’i japë fund diskriminimit, allishverisheve, arrnimeve, muzës politike e abuzimit. Me qëllim kryesor formalizimin e tregut, uljen e kostove për operatorët, maksimizimin e rrjetit, mbështetjen për subjektet, mundësimin e incentivave dhe politikave ndihmëse, sigurinë e cilësinë për pasagjerin, fuqizimin e transfertave ndërqytetëse me transport publik rrugor dhe aksesin optimal të qytetarit tek bileta”, thuhet në njoftim.
Lancimi i e-Transport për publikun, sipas DPSHTRR-së, “do të kryhet me kompletimin e fazës së biletimit elektronik dhe pas popullimit të sistemit me tërë prapavijën financiare të integruar me subjektet”.
“Hapi kryesor është eliminimi i rolit të njeriut, zerimi i subjektivitetit, shkurtimi drastik i burokracive dhe humbjes së kohës”, thuhet në njoftim.
8 shërbimet e reja online të Platformës e-Transport:
1. Licencimi në linjat e transportit ndërqytetës.
2. Kërkesë për shtim/ndryshim/heqje orari në linjat e transportit ndërqytetës.
3. Certifikim mjeti në linjat e transportit ndërqytetës.
4. Dublikatë Licence/Certifikate, për transportin ndërqytetës.
5. Autorizim stacion qëndrimi për linjat e transportit ndërqytetës.
6. Kërkesë për shtim/ndryshim/heqje stacioni në linjat e transportit ndërqytetës.
7. Kërkesë për miratim linje të transportit ndërqytetës.
8. Kërkesë për akses në e-Transport, si operator transporti ndërqytetës.
/m.m/j.p