Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me demokratë në Kamzë.
Në fjalën e tij, Basha deklaroi se “të gjithë kauzat tona janë vërtetuar, do t’i vendosim para përgjegjësisë nga i pari te i fundit deri te dita e fundit për aferën 430- milionë euroshe”.
“Detyra numër një është ajo që i kemi vënë vetes që prej ditës së parë. Që prej asaj dite ku një pjesë jo e vogël e shqiptarëve kishin një fije besimi tek Edi Rama. Detyra e parë e çdo demokrati është të bëjë gjithçka që kemi në dorë për ta larguar Edi Ramën dhe bandën e tij një orë e më parë. Dhe për ta bërë këtë, kemi një sërë detyrash përpara të cilat do të kishin qenë të vështira në çdo rast. E në veçanti, do të kishin qenë të vështira duke pasur parasysh që nuk jemi në një gjendje normale, në një vend normal as me standardet e Ballkanit. Jemi larg standardeve të Kosovës. Edhe sa i takon pluralizmit, edhe sa i takon demokracisë, edhe sa i takon sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, rolit të krimit dhe ndëshkimit të krimit. Na duket Kosova si me qenë një vend i Bashkimit Evropian, krahasuar me standardet ku ka përfunduar Shqipëria me Edi Ramën. Por, përveç kësaj kemi dhe një çështje tjetër e cila ka nisur të zhvillohet në gjirin e familjes tonë. Ka nisur të zhvillohet as për vullnetin tim, as për vullnetin tuaj, as për fajin tim as për fajin tuaj, as për ndikimin tim, as për ndikimin tuaj”, tha ai.
Duke iu drejtuar demokratëve, Basha shtoi se “ju e dini fare mirë që ne si demokratë në çdo betejë që kemi zhvilluar, në çdo arritje që kemi shënuar, kemi kërkuar dhe kemi marrë në masë të madhe mbështetjen e dy partnerëve strategjik pa të cilët ky vend zor do ta kishte të shkëputej qoftë dhe formalisht nga zgjedha e diktaturës komuniste dhe këto janë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”.
“Dhe me anë të këtyre aleatëve dhe këtij standardi, kemi arritur t’i largojmë jo pak por 300 zyrtarë, duke përfshirë deputet të Kuvendit e kryetarë bashkish”, tha Basha.
Po ashtu Basha duke folur për aferën e inceneratorëve u shpreh se komisioni hetimor po bën punë të jashtëzakonshme.
“Nënkryetarja e partisë Jorida Tabaku, në mënyrë të patrembur i ka vënë para përgjegjësisë nga i pari të i fundit deri te dita e fundit e kësaj jave, dhe javës tjetër fillojmë me politikanët, të mërkurën e ka radhën Edi Rama të vijë para komisionit”, tha Basha.



























