Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, në takimin me qytetarë të Shkodrës në prag të zgjedhjeve të pjesshme vendore, tha se më 6 mars në 6 bashki zgjidhet mes punës për komunitetin dhe sherrit për partinë.

“Më 6 mars në 6 bashki zgjidhet mes punës për komunitetin dhe sherrit për partinë. Shkodra është peng i të shkuarës, Shkodra mund të mbetet prapë peng i të shkuarës më datën 6 mars, por ne jemi këtu për t’i thënë Shkodrës: dora jonë është e shtrirë që t’i bashkohesh të gjithë atyre që sot, pavarësisht vështirësive dhe mangësive, punojnë për të ardhmen në çdo qytet, në çdo bashki nga veriu, deri në jug”, deklaroi Rama.

Rama tha se në anën tjetër demokratët e Shkodrës duhet të zgjedhin midis dy alternativash që nuk janë alternativa e që nuk kanë të bëjnë me të ardhmen.

“Në anën tjetër demokratët e Shkodrës duhet të zgjedhin midis dy alternativash që nuk janë alternativa e që nuk kanë të bëjnë me të ardhmen, nuk kanë të bëjnë me jetën e përditshme e me të nesërmen e vajzave dhe djemve, fëmijëve të Shkodrës, nuk kanë të bëjnë as me pastërtinë e Shkodrës, nuk kanë të bëjnë as me bukuritë e Shkodrës, nuk kanë të bëjnë as me pasuritë e Shkodrës, por kanë të bëjnë me luftën mes dy individëve. Një luftë personale për qëllime krejt personale. Njëri se do të kthehet me çdo kusht nga bota tjetër dhe tjetri, se me çdo kusht nuk do të iki aty ku e meriton. E të dy bashkë që kanë sjellë dy bedelë këtu e në të gjithë bashkitë e tjera, për t’i kërkuar vota qytetarëve për kryetarin e bashkisë, ndërkohë që nuk kanë lidhje fare me vetë punën dhe nevojat e komuniteteve të këtyre bashkive”, deklaroi Rama.

Ai solli në vëmendje transformimin e Tropojës si dhe investimet në disa rrugë turistike në Shkodër.

“Shikojeni Tropojën. Tropoja për një periudhë të caktuar doli nga rreshti. Shkodra është tek pull për të rezistuar kundër kujt? Shkoni shikojeni Tropojën, shikoni çfarë transformimesh kanë ndodhur në Tropojë që nuk kishin ndodhur gjithë ato dekada me radhë, që kur erdhi jeta me dy gishta, në Tropojë kishte mbetur Bajram Curri me 5 gishta dhe nuk kishte gjë tjetër, vetëm degradim. Edhe Bajram Curri me dorën aty sikur i thoshte njerëzve: mos hajde në Tropojë se nuk ke çfarë sheh. Ja ku është sot Tropoja. Për sa e sa vite kërkonin njerëzit rrugën për të shkuar në Theth. Ja ku është dhe rruga për të shkuar në Theth. Kush e bëri? Jo se kemi bërë ndonjë mrekulli, se mund të kishim bë shumë më tepër, por po ju them disa gjëra shumë të thjeshta. Një rrugë për në Theth, një rrugë tjetër në anën tjetër, për në pjesën e Malësisë së Madhe dhe Vermoshit, një rrugë për Velipojë”, tha Rama.

Rama u shpreh më tej, se këto janë investime të premtuara në 32 vite por që nuk u realizuan.

“Këto janë premtuar 30 vjet e nuk u bënë kurrë nga ata që sot kanë ardhur këtu, njëri i thotë Shkodrës: zgjidh o Shkodër bishtin e varesë time. Tjetri thotë: zgjidh o Shkodër këtë që ka dalë nga vrima e bravës sime, dhe si njëri, si tjetri, veç për Shkodrën nuk kanë për të bërë asnjë gjë. Të fitojë njëri, do dali tjetri atje e do thotë: unë jam më i fortë se ky këtu, atje në Tiranë, jo këtu. Të fitojë tjetri, do dalë tjetri e do thotë: ja unë jam më i fortë se ky këtu. Kacafytja do vazhdojë dhe Shkodra me gisht në gojë. Pse? Për çfarë arsye?”, u shpreh Kryeministri.