ATSH/-Pjesëmarrësit e fushatës së mbajtur një ditë më parë në Tiranë kundër gjuhës së urrejtjes “Blloko urrejtjen. Fal dashuri!”, theksuan se një rritje shqetësuese e gjuhës së urrejtjes, qoftë ajo ‘ballë për ballë’, online apo në mediat tradicionale përbën një kërcënim serioz për kohezionin e shoqërisë sonë demokratike, veçanërisht për grupet dhe komunitetet vulnerabël.
Kjo duhet të ndalet sepse të gjithë ne kemi një rol të rëndësishëm për të luajtur.
Hapja e fushatës mblodhi opinionistë të shquar, aktivistë dhe përfaqësues të lartë të autoriteteve publike, të cilët ngritën zërin kundër gjuhës së urrejtjes dhe u zotuan të promovojnë një shoqëri të barabartë, pa urrejtje dhe diskriminim.
Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Jutta Gützkow hapi aktivitetin duke theksuar rëndësinë e luftimit të gjuhës së urrejtjes dhe lëvizjes drejt një shoqërie tolerante dhe të larmishme. Ajo e mbylli fjalën e saj me një mesazh të fortë: “Ne ju bëjmë thirrje të gjithëve, pavarësisht nëse jeni këtu në dhomë apo jeni të lidhur on-line: Flisni kundër krimit të urrejtjes, kontribuoni pjesën tuaj për të ‘Bllokuar Urrejtjen’. ‘Falni dashuri’ në mënyrë që motoja “NE jemi NJË” të jetë kuptimplotë dhe relevante.
Kreu i Seksionit Politik në Delegacionin Evropian në Shqipëri, Alexis Hupin theksoi rëndësinë e zbatimit në procesin e luftimit të gjuhës së urrejtjes. “Unë do të doja t’ju ftoja që të vazhdonim këtë luftë së bashku, të dënojmë rastet e gjuhës së urrejtjes, të raportojmë rastet e krimeve të urrejtjes dhe të mbështetemi tek njëri-tjetri për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë, pa diskriminim, pa urrejtje dhe mundësi të barabarta për të gjithë.”
Deputetja e PS, Blerina Gjylameti foli në aktivitet duke u ndalur tek gjuha e ashpër e përdorur na arenën politike, përfshirë edhe në Parliament e cila nxit krijimin e një fryme konfliktuale. Ajo theksoi se partitë politike por edhe media, duhet te shqyrtojnë realisht dhe jo vetëm ta kenë në letër atë që është kodi i sjelljes.
Në fjalën e saj, Vjollca Braho, Zëvendës-Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u ndal tek promovimi i diversitetit dhe barazisë në Shqipëri, që është reflektuar në një sërë dokumentash strategjike kombëtarë dhe ndërkombëtarë, të cilat synojnë të arrijnë dhe të realizojnë sa më shumë drejtësi dhe barazi e të fuqizojnë të gjithë individët dhe shoqërinë për të gëzuar të drejta të barabarta.
Anisa Ruseti, nënkryetare e Bashkisë së Tiranës u ndal tek Tirana – Kryeqyteti Evropean i Rinisë, ku të rinjtë nga Shqipëria, rajoni të mund ta përdorin këtë vit për të krijuar një rrjet miqësie mes të rinjve të tjerë evropianë e për të treguar më shumë rreth të drejtave të njeriut e mundësive të barabarta.
Fabrizio Bucci, ambasador i Italisë në Shqipëri, në emër të Presidencës Italiane të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës në fjalën e tij ndau disa nga nismat kryesore të ndërmarra në kuadër të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës dhe përpjekjeve për të luftuar gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin. Në fjalën e tij, Bucci theksoi rëndësinë që Shqipëria, Italia, Këshilli i Evropës dhe të gjitha organizatat ndërkombëtare të punojnë së bashku në politikat antidiskriminuese, bazuara në tolerancë dhe respekt.



























