Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për ndërtimin e centralit gjenerues të energjisë elektrike eolike dhe veprave ndihmëse, në fshatin Grykë, njësia administrative Topojë, bashkia Fier.

Sipas këtij vendimi, ndërtimi do të bëhet nga shoqëria “Natyral Energy System”, sh.p.k. dhe centrali do të ketë një kapacitet të instaluar prej 3 MW.

Lidhur me afatin e pritshëm të vënies në punë, vendimi përcakton se koha për ndërtimin dhe vënien në operim të parkut eolik do të jetë brenda 48 muajve nga marrja e lejes së ndërtimit.

Sipas vendimit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe institucione të tjera të autorizuara prej saj kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate tremujore, gjatë realizimit dhe vënies në punë, me synim që të verifikojë se ecuria e punimeve, cilësia dhe konformiteti të jenë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit.

Ndërkohë shoqëria “Natyral Energy System”, sh.p.k. ka detyrimin të paraqesë periodikisht çdo 3 muaj pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ose institucioneve të tjera të autorizuara prej saj informacion mbi ecurinë e ndërtimit të centralit eolik.

Po ashtu ajo duhet të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5 % të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës.

Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera, që lidhen me zbatimin e saj.

Shoqëria “Natyral Energy System”, sh.p.k. duhet t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë, sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare.