ATSH/ Në bashkinë Kurbin, rilindja nga themelet sjell një pol të ri të zhvillimit urban me dy zona rindërtimi në Laç.

Pas dorëzimit të 524 apartamenteve të reja në zonën 1 po vijon ndërtimi në zonën 2, ku brenda vitit do të strehohen 200 familje.

Kryeministri Edi Rama ndau foto nga ky kantier ndërtimi, i cili po kryhet me financim 100% nga buxheti i shtetit.

“Pas dorëzimit të 524 apartamenteve të reja në Zonën 1/1 të qendrës së re të Laçit, vijon me financim 100% nga buxheti i shtetit dhe ndërtimi në Zonën 1/2, ku brenda vitit do të strehohen 200 familje”, tha Rama.

Zona 1 e lagjes së re në Laç u financua nga qeveria turke, ndërsa zona 2 nga qeveria shqiptare.

Zona 1 ka 524 apartamente, 37 njësi shërbimi, 375 vendparkime, qendër tregtare, njësi shërbimi e infrastrukturë sipas standardeve evropiane.

Pallatet e reja, spitali i ri, godina e re e bashkisë shkollat dhe mjediset sportive e rekreative që do të ndryshojnë faqen e këtij qyteti bashkë me cilësinë e jetës për 800 familje të prekura nga tërmeti i vitit të shkuar.

Ndërkohë në gjithë bashkinë Kurbin ndërtohen nga e para 6 godina arsimore, 4 shkolla dhe 2 kopshte dhe rikonstruktohen 3 të tjera.