ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot marrëveshjen për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin “Horizont Evropa”, për kërkimin shkencor dhe inovacionin.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi tha sot pas mbledhjes së qeverisë se “prej disa muajsh në Ministrinë e Arsimit kemi punuar intensivisht me Bashkimin Evropian për të negociuar marrëveshjen ndërkombëtare për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin “Horizont Evropa”. Tashmë e kemi miratuar edhe në qeveri dhe i kemi gati të gjitha procedurat për t’ia paraqitur Kuvendit për të marrë miratimin final për këtë marrëveshje.
Ky program nxit përgjigjen ndaj sifdave globale nëpërmjet kërkimit shkencor dhe inovacionit”.
“Në këtë program Shqipëria do të paguajë një kontribut prej 9 milionë euro i ndarë për 7 vite. BE synon që për kërkimin shkencor dhe inovacionin të ketë një treg të përbashkët duke nxitur shkëmbimin mes universiteteve, qendrave të kërkimit shkencor, mes pedagogëve, etj”, tha Kushi.
Ministrja Kushi u shpreh se “nëse i referohemi programit të mëparshëm “Horizont 20-20″, pjesëmarrja e Shqipërisë ka qene me 305 aplikime ku 52 kanë qenë fituese.
Nëse bëjmë krahasimin për kontributin që ka dhënë Shqipëria në program dhe ajo ]ka përfituar ne në fakt kemi përfituar në pak. Qeveria shqiptare ka paguar 8 milionë euro ndërkohë që universitetet kanë përfituar 5 milionë e gjysmë”.
Por, shtoi ajo, po ta krahasojmë me programin paraardhës të vitit 2007-2013, fondet që universitetet që kanë përthithur janë dyfishuar, kjo na bën optimistë që edhe për programin e ri “Horizont Evropa” përfitimet e universiteteve të jenë shumë herë më të mëdha në krahasim me vitet e kaluara.
“Edhe në kuadër të procesit të ndërkombëtarizimit universitetet tona kanë një bashkëpunim të ngushtë me universitetet prestigjioze evropiane kjo na bën optimistë që ata do të marrin pjesë edhe me partnerë prestigjiozë në këtë program”, tha Kushi.



























