Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca deklaroi se, ligji i miratuar sot në Kuvend për organizimin dhe funksionimin e Grupeve Vendore të Veprimit (GVV), krijon kuadrin ligjor për veprimin e bashkimeve të fermerëve.

“Miratuam sot ligjin e përafruar me Bashkimin Evropian, për krijimin e Grupeve Vendore të Veprimit (GVV) që mbështet filozofinë tonë qeverisëse – të bashkimit e kooperimit – duke krijuar kuadrin ligjor për veprimin e bashkimeve të fermerëve, shoqërive bujqësore, blegtorale apo të peshkimit, shoqatave mjedisore, organizatave profesionale, njësitë e qeverisjes vendore, ofruesit e shërbimeve në komunitete, sipërmarrës, organizatat e grave e të rinjve dhe aktorë të tjerë lokalë që të ndërveprojnë për interesa të përbashkëta komunitare”, u shpreh Krifca në një reagim.

“I hapim kështu rrugën zbatimit të Qasjes LEADER – një nisme evropiane komunitare, konceptuar si një laborator që inkurajon zhvillim rural të integruar dhe të qëndrueshëm nëpërmjet zbatimit të strategjive lokale që GVV kryejnë”, tha Krifca.

Nëpërmjet ligjit që miratuam, shtoi Krifca, “i japim GVV-ve, pra aktorëve dhe faktorëve të zonave rurale, fuqi vendimmarrëse, duke forcuar pjesëmarrjen në zhvillim dhe bashkëpunimin në nivel lokal, duke prodhuar sinergji mes aktorëve por duke e bashkëshoqëruar me instrumente financiare në grant për zbatimin e strategjive lokale nëpërmjet masës LEADER që do të jetë pjesë e Programit IPARD 3 me një buxhet prej 5 milionë euro”.

Krifca theksoi se kjo është “një punë tjetër e kryer drejt misionit të zhvillimit të qëndrueshëm rural”.