TIRANË, 28 prill/ATSH/ Nga 1 maji qytetarët dhe biznesi, nga shtëpia pa vonesa, pa radhë, dhe vetëm me një klikim mund të marrin shërbimet në fushën e detarisë të ofruara nga kapiteneritë e porteve Durrës, Vlorë, Sarandë, Shëngjin dhe Zyra e Regjistrimit të Mjeteve Lundruese dhe Detarëve.
Drejtoria e Përgjithshme Detare bëri të ditur se aplikimi i shërbimeve do të bëhet nëpërmjet portalit e-Albania.
Në e-Albania ofrohen shërbime të tilla si aplikimi për regjistrimin e anijeve në ndërtim, aplikimi për lëshimin e certifikatës së minimumit për anijet e transportit të mallrave dhe të peshkimit, aplikimi për pajisje me leje drejtimit për mjete të vogla lundruese, aplikimi për regjistrim dhe pajisje me pasaportë lundrimi për marinar të flotës tregtare, aplikimi për regjistrimin përfundimtar të motorëve të detit, për regjistrimin e mjeteve të vogla lundruese, aplikimi për regjistrim të anijeve me kontratë, bareboat, regjistrim i anijeve të kultivimit ose shfrytëzimit të florës dhe faunës/peshkimit, regjistrim i mjeteve lundruese të shërbimeve portuale, regjistrim përfundimtar dhe provizor i anijeve të transportit, si dhe çregjistrim i mjeteve lundruese.



























