Muzeu Etnografik dhe Muzeu “Ismail Kadare” bashkë me “Sokakun e të marrëve” e me shtegun “Edward Lear”, i kanë dhënë një përmasë të re turistike qytetit të gurtë të Gjirokastrës.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga dy muzetë e rinj në Gjirokastër, të cilët janë rinovuar tërësisht.
“Mirëmëngjes dhe me këto pamje ftuese të dy muzeve të rinj në Gjirokastër, Muzeut Etnografik dhe Muzeut “Ismail Kadare”, që bashkë edhe me “Sokakun e të marrëve” e me shtegun “Edward Lear”, i kanë dhënë një përmasë të re turistike qytetit të gurtë, ju uroj një ditë të bukur”, u shpreh Rama.
“Përmirësimi dhe Rinovimi i Sistemit të Muzeve në Qytetin e Gjirokastrës” është një projekt që u zhvillua në kuadër të Programit për Zhvillim të Integruar Urban dhe Turizmin, me financim nga Banka Botërore dhe zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Çdo ndërhyrje është trajtuar në mënyrë të tillë që të ruajë vlerat dhe arkitekturën unike të Gjirokastrës me kalanë, rrugët me kalldrëm, muret, çatitë prej guri dhe ballkonet e drunjta.
Sistemimi i muzeve ka për qëllim zhvillimin e një produkti turistik përbërë nga rrjete muzesh, aktivitetesh të ndërthurura me një rrjet rrugësh dhe shtigjesh tematike që inkurajojnë turistët të qëndrojnë më gjatë dhe të kenë një eksperiencë sa më interesante në Gjirokastër./m.m/atsh



























