ATSH/-Si sot, 270 vjet më parë, ndërroi jetë ipeshkvi Gjon Nikollë Kazazi, zbuluesi i librit të parë shqip, “Mesharit” të Gjon Buzukut.

Gjon Nikollë Kazazi ishte ipeshkv, lëvrues i gjuhës shqipe dhe teolog. Ai lindi më 1 janar 1702 në Gjakovë.

Karriera e tij studimore fillon me studimet teologjike në Kolegjin Ilirik të Shën Pjetrit dhe më pas në Kolegjin e Shën Palit në Fermo dhe në Loreto, ku përfundon studimet. Në vitin 1727 mori titullin doktor në Filozofi e Teologji. Po atë vit do të shugurohej meshtar. Në moshën 41-vjeçare do të shugurohej ipeshkëv i Shkupit.

Në vitin 1740, gjatë kërkimeve të tij në Arkivin e Vatikanit, zbuloi veprën monumentale të kulturës shqiptare “Mesharin” e Gjon Buzukut, botuar në vitin 1555.

Zbulimi tij do të mbetej në hije deri më 1909, kohë kur ,studiuesi arbëresh, Pal Skiroi do ta rigjente në po këto arkiva nën shënimin “Katalogu: R.G. Liturgia III,194”.

Në vitin 1743 botoi veprën “Përmbledhje e shkurtër e doktrinës kristiane”.

Kazazi ishte studiuesi i parë shqiptar që metaforikisht çeli udhën për të gjithë studiuesit e mëvonshëm drejt Arkivit të Vatikanit e, kryesisht, arkivit të Propaganda Fide.

Fotot e mëposhtme janë fletë nga “Meshari” i Gjon Buzukut, sjellë dhuratë nga Papa Françesku, gjatë vizitës së tij në Shqipëri.

/i.s/