ATSH/-Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot poetin Havzi Nela, në diten e tij të ndarjes nga jeta.

Havzi Nela lindi më 20 shkurt të vitit 1934 në fshatin Kollovoz të Kukësit. Pasi kreu shkollën fillore dhe të mesme, nisi studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës. Për shkak të bindjeve, u përjashtua nga instituti si element destruktiv. Mes shumë vështirësish, filloi punë si mësues në shkollën fillore të Planit të Bardhë në Mat. U dëbua nga ky fshat për shkak të dyshimeve që ishin ngritur rreth tij: mendohej se u lexonte nxënësve poemat e tij. Më vonë arriti të përfundonte Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës me korrespondencë. Punoi si mësues në fshatra të ndryshëm, si në Krumë, Lojma dhe në Shishtavec deri në vitin 1967, vit kur u transferua në Topojan.

Aty kontrollohej vazhdimisht dhe u mor në paraburgim shumë herë. Ndaj tij nisën një sërë kufizimesh mbi llojin e punës që mund të bënte dhe ku mund të jetonte. Më 26 prill 1967, bashkë me të shoqen, Lavdien, kaluan kufirin me Kosovën.

Gjatë kalimit të kufirit, u arrestuan nga ushtarët jugosllavë dhe u burgosën në burgun e Prizrenit. Më 6 maj 1967, jugosllavët i kthyen në pikën kufitare të Morinës, në këmbim të shqiptarëve nga Kosova, që qeveria komuniste e Enver Hoxhës ia dorëzonte policisë sekrete jugosllave, UDB-së. Më 22 maj 1967 u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg për kalim të paligjshëm kufiri. E gjithë pasuria e tij u konfiskua. E shoqja u dënua me dhjetë vjet burg.

Më 8 gusht 1975, dënimit ekzistues iu shtuan edhe tetë vite të tjera. U lirua më 19 dhjetor 1986, por vetëm për një kohë të shkurtër. Më pak se një vit më vonë, më 12 tetor 1987, u internua në fshatin Arrën. Më 24 qershor 1988, Gjykata e Lartë hodhi poshtë kërkesën e Lavdie Nelës, dhe ai u dënua me varje.

Është dekoruar me medaljen “Martir i Demokracisë”. /j.p/