Partia Socialiste Europiane deklaron se po ndjek me vëmendje dhe shqetësim zhvillimet në Tiranë në lidhje me çështjen e Teatri Kombëtar (Teatri i Ri Kombëtar).

Në një deklaratë të publikuar në faqe, PSE shprehet se “vendimi mbi fatin e kësaj ndërtese problematike ka qenë në duart e qeverive shqiptare të të gjitha partive politike për 22 vjet. Qeveria aktuale socialiste e Edi Ramës ka marrë përgjegjësinë dhe ka vepruar”.

PSE thekson se “është informuar se ndërtesa konsiderohet e rrezikshme nga ekspertët e sigurisë. Projekti për ndërtimin e një teatri të ri modern është në proces e sipër pas një sërë konsultimesh publike dhe transparente”.

Lidhur me këtë, Presidenti i Partisë Socialiste Europiane, Sergei Stanishev deklaron se “përdorimi i situatë që lidhet me ndërtesën e Teatrit Kombëtar, një pronë e bashkisë së Tiranës, për të përhapur përçarje dhe polemika mes qytetarëve shqiptarë është thellësisht shqetësuese. Kohët e fundit, Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm në rrugën e saj drejt integrimit europian, të cilin ne e mbështesim plotësisht. Përpjekjet e disa forcave politike për të shfrytëzuar këtë çështje dhe për të nxitur përshkallëzimin e tensioneve nuk i shërbejnë as artistëve që interpretojnë në Shqipëri, as qytetarëve të saj”.

Në lidhje me të drejtat e qytetarëve për të protestuar, PSE bën apel për një zgjidhje demokratike dhe paqësore të çështjes së Teatrit Kombëtar dhe kundërshton të gjitha thirrjet që nxisin pushtimin e pronës publike dhe sabotimin e veprave publike”./s.m/ /a.g/