ATSH-DPA/ – Pothuajse gjysma e të gjitha vdekjeve për shkak të kancerit në nivel global mund të mënjanohet me faktorë të shmangshëm, siç është një mënyrë jetese jo e shëndetshme, kanë zbuluar studiuesit.
”Pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit dhe obeziteti kryesuan listën e 34 faktorëve të rrezikut”, shkruan një ekip ndërkombëtar hulumtues në ”The Lancet”, revista e njohur mjekësore britanike.
Studiuesit analizuan të dhënat e rreth 10 milionë njerëzve që vdiqën nga 23 lloje të ndryshme kanceri në vitin 2019.
Faktorët e jashtëm të rrezikut u përfshinë në 4,45 milionë vdekje, thënë ndryshe 44,4%.
“Ky studim ilustron se barra e kancerit mbetet një sfidë e rëndësishme e shëndetit publik që po rritet në përmasa në mbarë botën”, thotë Christopher Murray, drejtor i Institutit për Metrikën dhe Vlerësimin e Shëndetit (IHME) në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Uashingtonit, si edhe bashkautor i studimit.
”Pirja e duhanit vazhdon të jetë faktori kryesor i rrezikut për kancerin në nivel global, me kontribues të tjerë të rëndësishëm në barrën e kancerit që ndryshojnë”, shtoi Murray.
“Gjetjet tona mund t’i ndihmojnë politikëbërësit dhe studiuesit të identifikojnë faktorët kryesorë të rrezikut që mund të synohen në përpjekjet për të reduktuar vdekjet dhe shëndetin e sëmurë nga kanceri në nivel rajonal, kombëtar dhe global”, theksoi ai.



























