TIRANË, 2 shtator/ATSH/-Në Muzeun Historik Kombëtar është çelur ekspozita “Italia – nga vëllezërit Alinari te mjeshtrit e fotografisë bashkëkohore”.

Përmes fotografive, kjo ekspozitë shpalos para vizitorëve peizazhe, fragmente e fakte mbresëlënëse nga traditat dhe historia, si dhe pasionin dhe forcën e jashtëzakonshme krijuese të popullit italian.

Syri i fotografëve, përmes teknikave të ndryshme artistike, është ndalur për të fiksuar e dokumentuar ngjarje dhe identitete në periudha të ndryshme kohore. Ekspozita sjell një rrëfim shumëzërësh përmes imazhesh dhe linjash delikate, ku vështrimi i fotografëve, me anë të tonaliteteve dhe teknikave të ndryshme artistike, tregon evolucionin e një vendi si Italia.

Ekspozita është e ndarë në tre seksione: peizazhe, vepra dhe portrete, duke vendosur një lloj komunikimi mes të sotmes dhe të shkuarës historike.

Të pranishmit në çeljen e ekspozitës i përshëndeti përfaqësuesi i Institutit Italian të Kulturës, Alessandro Ruggero, i cili theksoi se përherë e më shumë marrëdhëniet dhe bashkëpunimi mes Italisë e Shqipërisë vijojnë të rriten jo vetëm në fushën e kulturës, po dhe në fusha të tjera.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, në fjalën e tij përshëndetëse tha se çelja e kësaj ekspozite në Muzeun Historik Kombëtar është e mirëpritur dhe ngjall shumë interes, duke na afruar më shumë me vendin fqinj.

Ambasadori italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci, falënderoi për organizimin e kësaj ekspozite dhe shtoi se është e nevojshme që të bëhen edhe më shumë shkëmbime në fushën e artit dhe të kulturës mes dy vendeve. “Alinarët, – theksoi ai, – janë si Marubët e fotografisë në Shqipëri. Është e vërtetë ajo që thuhet për fotografinë: ajo vendos në të njëjtën linjë syrin, mendjen dhe zemrën. Dhe kjo ekspozitë na e vërteton këtë.”

Ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët deri më 25 shtator 2022.