ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi tha sot se këtë vit shkollor vazhdon angazhimi që në arsimin bazë të gjithë nxënësit nga klasa 1-9 të kenë tekstet shkollore falas.
“Përfitues të kësaj skeme mbështetëse nga Qeveria Shqiptare janë edhe të gjithë nxënësit e kategorive të veçanta në arsimin e mesëm të lartë”, tha Kushi në një postim në rrjetet sociale.
Ministrja Kushi falënderoi të gjithë mësuesit dhe personelin e shkollave për përkushtimin e tyre në mbarëvajtjen e këtij procesi.
“Suksese në vitin e ri shkollor të gjithë nxënësve dhe mësuesve”, u shpreh Kushi.
Kjo skemë mbështetëse ul koston financiare të familjeve shqiptare dhe përmirëson gjithashtu qasjen e nxënësve në arsim, veçanërisht nxënësve romë dhe egjiptianë, të cilët kanë një rrezikshmëri më të lartë të braktisjes së shkollës së mesme.



























