ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në përfundim të samitit COP15 për biodiversitetin në Montreal, u shpreh se pas mbylljes së fazës studimore, nis faza e procedurave ligjore në qeveri për të krijuar zyrtarisht parkun e parë në Europë të një lumi të egër si Vjosa.

Kumbaro solli momente nga samiti, ku puna e bërë deri tani nga Shqipëria, për këtë projekt është certifikuar nga Unioni Ndërkombëtar i Mbrojtjes së Natyrës (IUCN).

Kumbaro ishte pjesë e eventit dedikuar projektit për shpalljen Park Kombëtar të lumit Vjosë. Ky, sipas ministres, ishte kurorëzimi i fazës së parë të projektit për shpalljen Park Kombëtar të Vjosës”.

I gjithë procesi është kryer sipas standardeve të përcaktuara nga Unioni Ndërkombëtar i Mbrojtjes së Natyrës (IUCN).

Ministrja informoi se në fillim të vitit bëhen gati gjithë procedurat ligjore për ta shpallur zyrtarisht Parkun Kombëtar të lumit të fundit të egër në Europë. /j.p/