TIRANË, 22 shkurt/ATSH/ Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” do të çelë ekspozitën me titull “Tenda e takimit e një oborri”, me fotografi nga koleksioni i Pietro Marubit. Ekspozita vjen në kuadër të kalendarit kulturor të Shqipërisë dhe Kosovës.
“Tenda e takimit e një oborri”, e kuruar nga Luçjan Bedeni, do të çelet në Galerinë e Ministrisë së Kulturës së Kosovës.
Pak dihet rreth Pietro Marubit, përpara se ai të vinte në vendin tonë. Një i huaj misterioz, që kishte ardhur ndoshta për arsye politike.
Udhëtimi i tij filloi në Itali me një ndalesë në Korfuz të Greqisë, duke vazhduar në Shqipëri dhe duke u ngjitur nga jugu në veri, nga Vlora në Durrës, derisa më në fund mbërriti dhe u vendos në Shkodër.
Ai mbërriti me një përvojë si arkitekt, piktor dhe skulptor dhe ndër veprat e tij të përmendura në Shkodër janë projekti i Katedrales Katolike, selia e Konsullatës Italiane dhe pikturat murale të Kishës Ortodokse.
Në Shkodër dallohet për prezantimin e mediumit të fotografisë, në vitin 1856, vetëm 22 vjeç, hap studion e parë fotografike (Foto – Studio “Marubbi” Fondata Casa nel ‘1856).
Duke qenë në krye të një aktiviteti premtues, ai mori fëmijët e Rrok Kodhelit, Mat dhe Kel si ndihmës të tij. Rreth vitit 1875, ai organizon t’i udhëzojë ata në fushën e fotografisë duke i dërguar në studion fotografike “Sebastianutti dhe Benque” në Trieste, Itali për t’u njohur më thellë me këtë medium.
/gj.m/





























