ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov është përpjekur edhe një herë të konsiderojë Perëndimin përgjegjës për luftën në Ukrainë, por pjesëmarrësit në një konferencë gjeopolitike në Nju Dehli qeshën me këtë deklaratë.
I pyetur se si konflikti ka ndikuar në strategjinë energjetike të Rusisë, Lavrov tha se “ju e dini që ne po përpiqemi ta ndalim luftën që u nis kundër nesh duke përdorur popullin ukrainas”.
Kjo deklaratë e tij u prit nga audienca me ilaritet.
Pas një pauze të shkurtër, ministri i Jashtëm rus vazhdoi duke thënë se “sigurisht që konflikti ndikoi në politikën e Rusisë, përfshirë politikën energjetike”.
“Ne nuk do të mbështetemi më në asnjë partner në Perëndim”, shtoi Lavrov.
”Në vend të kësaj, Rusia po kërkonte partnerë të besueshëm energjetik si India dhe Kina”, sipas ministrit.
Ndonëse kjo nuk ishte hera e parë që Kremlini ka fajësuar Perëndimin për pushtimin e Ukrainës, të urdhëruar nga presidenti rus Vladimir Putin më shumë se një vit më parë, ajo që ishte e jashtëzakonshme ishte se Lavrov e quajti konfliktin si një “luftë”.
Moska vazhdon ta quajë atë një “operacion special ushtarak” dhe është një shkelje e dënueshme në Rusi nëse luftës në Ukrainë i referohesh si ofensivë.
Në fund të diskutimit 30-minutësh, moderatori e pyeti Lavrovin nëse mund të premtonte se biseda e radhës do të zhvillohej në kohë më pak “kontestuese”.
“Epo amerikanët me siguri do ju sugjeronin disa pyetje që mund t’i përdorni”, tha ministri rus, përpara se të largohej nga skena me buzëqeshje dhe me të qeshurat e publikut.
India mban lidhje të ngushta ekonomike dhe ushtarake me Rusinë dhe dëshiron të mbetet neutrale në lidhje me konfliktin me Ukrainën.
Pjesa më e madhe e pajisjeve të forcave të armatosura indiane vjen nga Rusia.
Së fundmi, vendi i Azisë Jugore me popullsinë e dytë më të madhe në botë pas Kinës, abstenoi në një votim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për një rezolutë që bën thirrje për paqe dhe tërheqje të Moskës me rastin e përvjetorit të parë të pushtimit rus të Ukrainës./ a.jor.



























