ATSH/ Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen deklaroi sot se, Shqipëria është partnere mjaft e vlerësuar për Danimarkën dhe një aleate shumë e besuar e NATO-s.
Gjatë konferencës së përbashkët në Tiranë me Kryeministrin Rama, Mette vlerësoi kryeministrin për angazhimin e tij për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
“Falemnderit për mikpritjen tuaj sot në Tiranë dhe jam shumë e nderuar që jam kryeministrja e parë daneze që viziton Shqipërinë. Unë mendoj se ju jeni një nga zërat më të fortë në Evropë kur bëhet fjalë për rëndësinë e një integrimi të plotë midis Ballkanit Perëndimor dhe pjesës tjetër të Evropës dhe kjo po bëhet gjithmonë e më e rëndësishme”, u shpreh Frederiksen.
Ajo theksoi se, “Shqipëria është një partnere mjaft e vlerësuar për Danimarkën dhe ju jeni një aleat shumë i besuar i NATO-s. Në një kohë kur Bashkimi Evropian është më i rëndësishëm se kurrë më parë, unë shpresoj që ne të mund të ndërtojmë një partneritet edhe më të fortë dhe jam shumë e sigurtë që do ta bëjmë një gjë të tillë”.
Kryeministrja daneze u ndal dhe tek lufta në Ukrainë ku vlerësoi rolin e Shqipërisë.
“10 ditë më parë shenjuam 1-vjetorin e luftës në Ukrainë dhe kjo ishte një nga temat kryesore sot. Ju keni reaguar mjaft qartë e shumë fort ndaj kësaj situate me punën në Këshillin e Sigurimit. Ju jeni bashkuar me sanksionet e BE-së qysh prej fillesës dhe jeni angazhuar në NATO e keni qenë një mbështetës mjaft i fortë i Ukrainës”, u shpreh ajo.
“Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm për situatën shumë të brishtë në shumë vende të Ballkanit Perëndimor. Unë mendoj se përkushtim juaj ndaj vlerave evropiane është i rëndësishëm dhe po kështu kjo është një pjesë mjaft e fortë e çeljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. E di që është një punë mjaft e madhe dhe kërkon shumë zgjidhje dhe shumë reforma, por unë e di që ju keni kapacitetin për ta bërë këtë dhe ne ju mbështesim fort në drejtimin tuaj. Më vjen shumë keq për gjërat që ju po përjetoni në Shqipëri për shkak të luftës, ku shumë njerëz vuajnë për shkak të inflacionit dhe të çmimeve të energjisë dhe na duhet të punojmë së bashku edhe për këto çështje”, tha kryeministrja daneze.
E pyetur nga medie gjatë konferencës për bashkëpunimet e përbashkëta midis Shqipërisë dhe Danimarkës ajo tha se, “do doja të theksoja rëndësinë e ndërtimit të një bashkëpunimi më të fortë kur vjen fjala për migracionin e brendshëm në BE por edhe për kufijtë e jashtëm”.



























