TIRANË, 3 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se “po punohet për një transformim të rëndësishëm urban e turistik në Koman”.
“Sot kemi një nyje transporti për turistët që shfrytëzojnë Komanin si pikë lëvizje të të ashtuquajturave tragete përgjatë rrjedhave lumore. Nuk janë tragete por baraka lëvizëse që me ndihmën e të madhit Zot vazhdojnë të kryejnë punën pa sjellë lajmin kobzi të ndonjë tragjedie”, tha Rama.
Rama tha se do të kryhet një ndërhyrje komplekse ku nga një pikë kalimi nga autovetura në barakën lundruese do të kemi një pikë turistike të mirëfilltë”.
“Do të kemi një muze të gjithë historisë të krijimit e zhvillimit të sistemit elektroenergjetik shqiptar, një rrugë këmbësorësh panoramike dhe një kompleks të tërë që do të bëjë rolin e një magneti të plotë për shumëkënd që nuk merr rrugën për të shkuar lart nga mungesa e një promovimi si duhet i gjithë asaj zone si rezultat i mungesës së infrastrukturës”, tha Rama.
ATSH