Ryan Routh, 58 vjeç, që sipas autoriteteve qëndroi 12 orë në pritje të Donald Trumpit, pranë klubit të tij të golfit dhe shkroi në një letër dëshirën për ta vrarë, u vu të martën nën akuzë për përpjekje për të vrarë një kandidat për president.
Ndaj Ryan Routhit rëndojnë dy akuza të tjera për armëmbajtje të paligjshme.
Akuzat pasqyrojnë vlerësimin e Departamentit të Drejtësisë se ai thuri plane për të vrarë kandidatin republikan, ndërsa drejtoi një armë gjysmë automatike në fushën e golfit në West Palm Beach të Floridas, ku po luante zoti Trump, në 15 shtator.
Ai shkroi një letër në të cilën përshkruante qëllimet e tij.
Çështja i është caktuar gjyqtares Aileen Cannon, e cila në korrik rrëzoi një padi ndaj ish Presidentit që e akuzonte për marrjen e dokumenteve të klasifikuara në pronën e tij në Mar-a-Lago të Floridas.
Aktakuza ishte paralajmëruar gjatë një seancës dëgjimore të ditës së hënë, në të cilën prokurorët argumentuan se 58-vjeçari duhet të qëndronte pas hekurave pasi përbënte rrezik për sigurinë publike .
Ata thanë se i dyshuari kishte lënë një letër disa muaj para se të arrestohej në 15 shtator, e cila bazohej në hipotezën se përpjekja për ta vrarë ish-Presidentin do të dështonte dhe se ai ofronte 150 mijë dollarë për këdo “që do ta mbaronte këtë punë”.tch


























