Në takimin e parë të emisionit më të ri në Tv Skampa titulluar “Shëndet+”, një emision dedikuar shëndetit, ishte i ftuar në një lidhje direkte nga Milano për të folur mbi situatën e Covid-19, por dhe për më gjerë, mjeku i njohur kardiolog Altin Palloshi.

Doktori i mirënjohur, ka folur rreth situatës në Itali për vështirësitë e kaluara në “luftë” me këtë “armik të padukshëm”. Në këtë intervistë me moderatoren Migena Kapllani, ai ka treguar se territoret më të prekura janë vendet si Lombardia dhe Katalunja të cilat janë ndër qendrat më të mëdha evropiane për dendësine e strukturave industriale, por edhe në Paris, në Spanjë në kryeqytetin e saj Madridin dhe gjithashtu një tjetër zonë shumë e prekur ishte New York në SHBA.

Gjithashtu kardiologu Altin Palloshi prezantoi platformën mjekësore online “Milano për Shqipërinë”. Kjo platformë është një projekt i vazhduar nga “Milano Medical” e cila është një platformë për t’i ardhur në ndihmë të gjithë njerëzve, të cilët duan të konsultohen me një mjek për çdo problem shëndetësor pa qenë nevoja e përballjes direkte me mjekun. Kjo mundësohet nëpërmjet tabletit, telefonit, apo kompjuterit direkt nga shtëpia. Kardiologu elbasanas, së bashku me një grup mjekësh shqiptarë, një staf prej rreth 50 vetash të cilët kanë eksperienca shumëvjeçare në Itali, por dhe nëpër botë, sponsorizuan këtë platformë për të ndihmuar të gjthë shqiptarët (brenda dhe jasht vendit) të cilët kanë nevojë për këshilla jo vetëm për rastet e dyshuara me covid, por dhe për të gjithë pathologjitë. Ata mund t’i drejtohen duke kërkuar në google “Milano Medical”, thjesht duke klikuar në sesionin “Milano për Shqipërinë” dhe përgjigjja do të ishte shumë e shpejtë nga ana e personelit mjekësor.

Lajmi i mire, i cili doktor Altin Palloshi dha për të gjithë shqiptarët, ishte se kjo platformë mundësohet pa pagesë, në ndryshim nga platformat e tjera të cilat kërkojnë abonimet kundrejt një pagese. Kontaktet nga shqiptarët ishin të shumta; numri i tyre ishte rreth 1800 pacientë online. Për më shumë mund të klikoni në linkun http://www.milanmedicalcenter.it/

Në vazhdim të intervistës ai ka dhënë dhe disa këshilla për të gjithë shikuesit, siç ishin: larja e shpeshtë e duarve, pra mbajtja e higjienës personale, shmangia e grumbullimeve dhe mosfrekuentimi i ambienteve spitalore ku rreziku është shumë herë më i lartë.

Në përfundim të bisedës, ai shtoi se ne duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me coronavirusin. Ndër të tjera ai shtoi: “Covidi, si një virus është i ngjashëm me gripin e 1965-ës dhe atë të 1990-ës, gjithashtu është i ngjashëm me disa viruse të tjera në periudhën e mungesës së vaksinës”. Pra Covid-19 do të bëhet “pjesë e jetës sonë” dhe kjo gjë është e pashmangshme.

“Shëndet +” me autorësi të Xhani Shqerrës dhe në drejtimin e Migena Kapllanit, pati një shikueshmëri të lartë, takim i cili do të transmetohet çdo të premte në orën 20:00 me të tjerë specialist/specialiste dhe tema në dobi të teleshikuesit. Për ata që e humbën këtë takim, ritransmetimi ditën e shtunë në orën 11:30 në Tv Skampa.

Nga Natrin ÇOÇKA.