“Zgjedhjet u vodhën”, thotë presidentja gjeorgjiane Salome Surabischwili. “Gjithçka është në rregull”, thotë kryeministri. Çfarë është e saktë? BE-ja akoma nuk ka qëndrim të prerë.

 

 

Procesi i pranimit të Gjeorgjisë nuk ka gjasa të ecë përpara edhe ca kohë. Zëdhënësja e Komisionit Evropian tha në pyetjen e DW se fillimisht duhet të zbardhen dyshimet për rezultatin e zgjedhjeve dhe të tërhiqen ligjet jodemokratike.

 

Pas zgjedhjeve të javës së kaluar në Gjeorgji, tani po diskutohet se kush fitoi. Partia në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane” pretendon se është fituese. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka konfirmuar se kjo parti ka marrë më së shumti – 54 për qind të votave.

 

 

Presidentja e vendit, Salome Surabischwili, nuk e njeh rezultatet e zgjedhjeve. Në një intervistë për DW, ajo u bëri thirrje qytetarëve të protestojnë. “Këto zgjedhje janë vjedhur. Njerëzit në rrugët e Gjeorgjisë do ta konfirmojnë këtë vlerësim”, tha ajo.

 

Pritja e raportit të vëzhguesve

 

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, i bëri thirrje Komisionit Zgjedhor të Gjeorgjisë që të hetojë dhe eliminojë parregullsitë në zgjedhje. “Kjo është e nevojshme për të rikthyer besimin në procesin zgjedhor,” shpjegoi Borrell në një deklaratë me shkrim. Nga njoftimi nuk ishte e mundur të hamendësohej nëse BE-ja i njeh rezultatet e zgjedhjeve apo jo. Sipas Borrell, Brukseli dëshiron të presë raportin përfundimtar të vëzhguesve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

 

Në mënyrë të ngjashme është shprehur edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili përfaqëson 27 shtete anëtare. Kjo çështje do të diskutohet në samitin e BE-së javën e ardhshme.

 

Procesi i afrimit është i ngrirë.

Tch