ATSH-Maela Marini/ Projektbuxheti i vitit 2025 për Ministrinë e Mbrojtjes mbështet modernizimin e Forcave të Armatosura si dhe ringritjen e industrisë ushtarake.

 

Në një seancë dëgjimore në komisionin e Sigurisë Kombëtare, ministri Vengu u shpreh se buxheti garanton mbështetjen e plotë financiare për nevojat dhe modernizimin e Forcave të Armatosura, por edhe siguron zbatimin e reformave të iniciuara që investimet në mbrojtje të përkthehen në gatishmëri operacionale dhe qëndrueshmëri të strukturave të emergjencave civile në territor.

 

Po ashtu, sipas tij, buxheti synon sigurimin e rritjes ekonomike përmes axhendës së industrisë ushtarake.

 

“Viti 2025 parashikohet të jetë viti i dytë ku plotësohet detyrimi dhe angazhimi përkundrejt NATO-s për të arritur një buxhet mbi vlerën 2% në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto”, tha Vengu.

 

Ministri bëri të ditur se buxheti 2025 për ministrinë e Mbrojtjes shkon në shifrën e 52.7 miliardë lekësh.

 

Duke u ndalur te prioritetet kryesore që adreson ky buxhet, Vengu u shpreh se së pari mbështeten investimet në kapitalin njerëzor dhe vijimi i modernizimit dhe rritjes së gatishmërisë operacionale.

 

“Prioritet janë investimet në infrastrukturën ushtarake dhe miradministrimi i aseteve dhe pronave, emergjencat civile dhe industria ushtarake ku kemi risi për sa i përket rivitalizimit të ish-uzinave ushtarake. Buxheti siguron vijimësinë e 21 projekteve në zbatim e sipër dhe fillimin e 8 projekteve të reja. Po ashtu, parashikohet vijimësia e 62 projekteve në infrastrukturë si dhe 8 objekte të reja që do i nënshtrohen investimit”, tha Vengu.

 

Ministri theksoi se parashikohet po ashtu një buxhet i konsiderueshëm për sa i përket trajtimit financiar, ku përfitojnë 2500 personel të FA-së, rritje në pagë që shkojnë shpeshherë deri në dyfishim të rrogës. “530 milionë lekë do t’i shtohen trajtimit financiar të FA-së”, tha ministri.