Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se në vitin 2025 qeveria ka rritur më tej fondin për rimbursimin e ilaçeve.

 

Gjatë diskutimit në seancën e sotme plenare të Kuvendit për projektbuxhetin e vitit 2025, kryetari i Partisë “Fryma e re”, Agron Shehaj kërkoi informacion nëse qeveria ka marrë kërkesë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për fonde të reja për rimbursimin e ilaçeve dhe nëse qeveria i ka dhënë zgjidhje kësaj kërkese.

 

Malaj shpjegoi se fondi është planifikuar të rritet me 600 milionë lekë për vitin që vjen.

 

“Në vitin 2025 qeveria ka rritur vlerën e fondit për rimbursimin e ilaçeve nga 12 miliardë lekë që ishin këtë vit, në 12.6 miliardë lekë. Janë 600 milionë lekë më shumë për rimbursimin e ilaçeve”, deklaroi ministri Malaj. /j.p/atsh