Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Mirela Kumbaro, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se turizmi është kthyer në industri dhe është shtrirë thuajse në të gjithë territorin, e po ashtu përgjatë gjithë vitit. Ajo pret që fluksi i turistëve të huaj të rritet, ndërsa pranon se vendi nuk ishte i përgatitur që të përballonte bumin turistik që përjetoi në dy vjetët e fundit. Thotë se qëllimi është turizmi elitar, por paralajmëron lajme të mira edhe për ata që kërkojnë më shumë hapësira publike në bregdet. Si problemet kryesore që kërkojnë zgjidhje për t’u përballur me fluksin në rritje të turizmit, Kumbaro përmend menaxhimin e mbetjeve dhe transportin publik.

 

Radio Evropa e Lirë: Sipas raportit të publikuar nga Organizata Botërore për Turizëm e Kombeve të Bashkuara (UNWTO), Shqipëria është vendi i dytë në botë dhe i pari në Evropë që ka pasur rritjen më të madhe të turizmit. Sa i rëndësishëm është ky tregues për vendin?

 

Mirela Kumbaro: Për reputacionin e imazhit të Shqipërisë në botë, por edhe për zhvillimin ekonomik, padyshim, turizmi është sektori më i rëndësishëm i ekonomisë.

 

Shqipëria, jo vetëm se është rikuperuar, por ka shkuar përtej ta gjitha pritjeve. Sipas parashikimeve tona, ne do t’i arrinim 10 milionë turistë në vitin 2027 ose 2030, por ja ku jemi, e kapëm [këtë shifër] që në vitin 2023. Kjo falë jo një bumi që ndodhi në një vit, por falë një pune që është bërë që nga viti 2014, e që ne e konceptuam si program i “Rilindjes Urbane”. Ai solli transformim psiko-estetik, psiko-arkitekturor dhe një sinergji të re në marrëdhëniet në investime dhe vizion mes sektorit privat dhe publik. Dy fenomene të reja shumë të rëndësishme, të konfirmuara në dy vjetët e fundit, janë: shtrirja e turizmit në territor dhe gjatë gjithë vitit. Këto e bëjnë turizmin të qëndrueshëm, krijojnë hartë të re, bëjnë që turistët ta shohin Shqipërinë jo vetëm për bregdetin, por për shumë destinacione të pazbuluara më parë.Radio Evropa e Lirë: Në prezantimin e strategjisë keni deklaruar se “në çdo 1 km plazh do të ketë minimumi 300 metra plazh publik”. Sa i arritshëm do të jetë ky premtim, pasi edhe ju e keni cilësuar si një sfidë të madhe?

 

Mirela Kumbaro: Në ofertën turistike shqiptare, bregdeti është një nga pikat kryesore të kësaj menyje, por përvoja e këtyre viteve na ka mësuar ta menaxhojmë më mirë këtë hapësirë, për të krijuar një raport më të drejtë mes plazhit si hapësirë dhe e mirë publike, që duhet të jetë në dispozicion të publikut, por edhe ruajtjes së një ekuilibri në interes të sektorit privat. Rregullorja e re e plazhit ka parasysh këtë ekuilibër në funksion të investimeve të qëndrueshme, serioze, afatgjate dhe të konsoliduara në fushën e hotelerisë. Kemi fluks të madh të pushuesve vendas dhe të huaj, por nuk kemi kapacitete në shtretër për t’iu përgjigjur këtij fluksi. Duke e konsideruar bregdetin si një të mirë, por edhe si vlerë të shtuar për atë sektor të ekonomisë që ka investuar në hotele, në akomodim, kemi gjykuar që plazhet si hapësira që mund të menaxhohen nga privati, të jenë në dispozicion të bizneseve turistike qe kanë hotele. Do ta përmbysim tendencën që biznese të vogla të menaxhojnë hapësira në plazhe, duke ofruar një strukturë të lehtë shërbimi, pra duke e kthyer çadrën apo shezlonin në biznes kryesor. Jo, nuk mund të jetë kështu! Plazhet janë të lira, duhet të jenë publike, bashkitë duhet t’i mirëmbajnë dhe menaxhojnë bashkë me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit. Duhet ta rrisim ndërgjegjësimin e publikut, për ta mbajtur pastër. Viti 2025 do të jetë sfidues në këtë rritje të ndërgjegjësimit. Nga ana tjetër, do të shkojmë në gati dyfishim të hapësirave publike të plazheve. Do t’u japim mundësi bashkive të ofrojnë çadra dhe shezlone me çmim më të lirë se privati, që t’i kemi disa opsione dhe pastaj klienti të zgjedhë. Kemi futur një element të ri – që nuk është e lehtë të zbatohet për shkak të relievit – që në çdo 1 kilometër të ketë 300 metra plazh publik.atsh