Interesim i madh si rrallëherë për një libër politik gjerman. Libri i ish-kancelares Angela Merkel me titullin “Liria. Kujtime 1954-2021” pushton jo vetëm tregun gjerman të librave, por edhe atë të rreth 30 vendeve perëndimore dhe jo perëndimore si Kina.

Libri me kujtimet e ish-kancelares Merkel ka rreth 730 faqe dhe përfshin vitet 1954-2021, nga fëmijëria dhe rinia në ish-Republikën Demokratike Gjermane, ribashkimi gjerman, deri te karriera e saj politike në Republikën Federale të Gjermanisë deri në përfundimin e mandatit të saj 16-vjeçar si kancelare në vjeshtën e vitit 2021. Libri botohet edhe si audiolibër. 70-vjeçarja Merkel do të bëjë edhe një turne në qytetet e mëdha evropiane për të prezantuar librin e saj.

Më 2 dhjetor Merkeli do të prezantojë në Uashington librin e saj në prani të ish-presidentit amerikan Barack Obama.

Nga disa fragmente të publikuara tashmë nga libri në disa media gjermane si dhe nga disa intervista që ka dhënë ish-kancelarja Merkel, merret vesh se në kujtimet e saj ajo trajton edhe çështje aktuale dhe të debatueshme politike. Ajo tregon për shembull për përvojën e saj me presidentin amerikan Donald Trump (2017-2021), dominimin e burrave në politikën gjermane, pranimin e refugjatëve në Gjermani, gjë që ngjalli dhe vazhdon të shkaktojë debate të mëdha në Gjermani, politikën e saj ndaj Rusisë dhe Ukrainës, si dhe këndvështrimin e saj për Vladimir Putinin.

Merkeli, Putini dhe qeni i tij Koni

Fotografitë e Angela Merkel-it, Vladimir Putinit dhe qenit të tij labrador, Koni, u bënë të famshme në mbarë botën. Sepse kur kancelarja gjermane ishte për vizitë tek presidenti rus në Soçi në vitin 2007, Putini e lejoi qenin e tij t’i afrohej kancelares, edhe pse e dinte që Angela Merkel kishte fobi nga qentë.

Duke iu referuar këtij takimi në librin e saj, Merkel e përshkruan Putinin si “dikë që gjithmonë është vigjilent për ndonjë shenjë se dikush nuk e respekton, por që nga ana tjetër është gjithmonë i gatshëm të mos respektojë të tjerët, si për shembull loja e forcës me qenin apo duke i bërë të gjithë që ta presin.”

Honorar dyshifror në miliona
Siç është e zakonshme me libra të tillë, publikisht nuk dihet se me çfarë honorari do të marrë ish-kancelarja. Disa media në Gjermani kanë spekuluar ditët e fundit për këtë honorar. Gazeta “Kölner Stadt-Anzeiger” shkruante, pa cituar burime konkrete, se bëhet fjalë për një “shumë të jashtëzakonshme dyshifrore në miliona”. Kurse gazeta “Tagesspiegel” përmendi një shumë prej 12 milionë eurosh./DW

Top Channel