PRISHTINË, 8 qershor/ATSH/ Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që nga sot qytetarët që hyjnë në vendin tonë të mos i nënshtrohen masës së vetëizolimit shtëpiak për një javë.
Në vend të testimit të detyrueshëm për COVID-19, për ata që hyjnë, do të jetë masa e kontrollit nga ekipet mjekësore të QKMF-ve të vendosura në pikat kufitare apo në QKMF-të brenda komunave.
Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, ushtruesja e detyrës së kryeinspektores shëndetësore Nora Krasniqi dhe kryeinspektori i AUVK, Ibrahim Tërshnajku do të vizitojnë sot pikën kufitare në Vërmicë, për të parë implementimin e masave të reja për COVID-19.
Ndryshe, nga sot, si pjesë e masave të reja lehtësuese, do të hiqet edhe kufizimi i qarkullimit për qytetarët nga ora 21 deri në orën 5 të mëngjesit.
ATSH