TIRANË, 8 qershor/ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se nuk do të ketë rritje të çmimit të biletës për qytetarët që përdorin transportin publik.
Gjatë një interviste në medie, Balluku u shpreh se pandemia e COVID-19 e goditi këtë sektor dhe se qeveria po harton një plan për mbështetjen e tij.
Në kushtet kur janë hapur, kopshtet, çerdhet dhe administrata po vijon të punojë me kapacitet të plotë, është e domosdoshme, tha Balluku, edhe hapja e transportit publik. Ministrja bëri të ditur se është dizenjuar edhe një protokoll i detajuar që do të ndiqet.
“Ne jemi të ndërgjegjshëm që është një sektor që është goditur. Ne e kemi një plan dhe kemi nisur edhe të bisedojmë me aktorët e transportit urban e ndërqytetas, por edhe atë ndëkombëtar. Së bashku me hapjen, të gjithë aktorët e këtij sektori do të njoftohen e marrin mbështetjen nga qeveria shqiptare për të ringritur këtë sektor”, tha Balluku.
Protokolli, tha ajo, i detyron kompanitë të operojnë vetëm me 70% të kapacitetit, kështu që për 30% e munguar po gjenden artifica ligjore e financiare për t’ua mbuluar këtyre kompanive e për t’i ndihmuar të dalin nga kjo situatë.
“Jemi duke parë edhe kërkesat që vetë kompanitë kanë nisur. Ndërkohë kemi nisur një proces për modernizimin e fiskalizimin e sektorit, si bileta elektronike dhe përqendrimi i një dispancerie që do të ndihmonte problematikat në transportit ndërqytetas”, u shpreh ministrja Balluku.
Balluku tha se rritja e biletës nuk është një çështje në diskutim dhe nuk do të ndodhë.
“Nuk më rezulton të ketë një kërkesë deri sot për rritje të çmimit të biletës. Nga studimet bileta prej 40 lekësh është e ulët por ne nuk na rezulton të kemi një kërkesë të tillë. Ka kërkesa të tjera si ajo për akcizën e naftës, njohjen e shpenzimeve të tyre përsa i përket përqendrimit të naftës që është 43%, por jo rritje e biletës. Nuk është një çështje në diskutim. Ne jemi në një moment që po kërkojmë mekanizma për të mbështetur qytetarin në çdo aspekt jo më t’i rrisim biletat”, tha Balluku.
ATSH