“Gjatë vitit 2024, Banka e Shqipërisë ka bërë progres të rëndësishëm në dy nisma kyçe në fushën e pagesave dhe asaj të mbikëqyrjes bankare: anëtarësimi në SEPA, më 21 nëntor 2024, dhe avancimi i bankingut të hapur. Integrimi në SEPA do të lehtësojë kryerjen e transfertave financiare ndërkufitare me vendet e Bashkimit Evropian, duke i bërë ato më të shpejta dhe me kosto më të ulët – një hap i rëndësishëm ky drejt integrimit ekonomik dhe përmirësimit të shërbimeve për bizneset dhe konsumatorët. Gjithashtu, në linjë me rregulloret e BE-së, Banka e Shqipërisë ka avancuar në implementimin e bankingut të hapur, duke nxitur përdorimin e platformave digjitale, me qëllim rritjen e përfshirjes financiare dhe krijimin e një ekosistemi më të hapur për klientët dhe bizneset. Bankingu i hapur do të mundësojë akses më të gjerë dhe transparent në shërbimet financiare për të gjithë popullsinë. Ky zhvillim është pjesë një strategjie më të gjerë për përmirësimin e infrastrukturës financiare dhe digjitalizimin e ekonomisë”, vijon Sejko.

 

“Të dyja nismat synojnë të përmirësojnë përfshirjen financiare, duke shërbyer drejtpërdrejt në reduktimin e nivelit të informalitetit dhe si rrjedhojë, duke mbështetur rritjen e qëndrueshme afatgjatë”, tha Sejko.

 

“Në lidhje me të ardhmen, parashikimet tona mbeten pozitive, mbështetur kryesisht nga zhvillimet pozitive në terma të rritjes së aktivitetit ekonomik. Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim luan edhe mjedisi financiar i karakterizuar nga likuiditet i bollshëm, nivele relativisht të ulëta e të qëndrueshme të normave të interesit dhe prime të kontrolluara rreziku, duke shndërruar kredinë bankare në një burim të rëndësishëm dhe të besueshëm financimi për ekonominë shqiptare. Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë e vëmendshme për të reaguar në kohë dhe në masën e duhur ndaj zhvillimeve ekonomike edhe financiare”, nënvizoi Sejko.atsh