TIRANË, 8 qershor/ATSH/ Terminali i Trageteve vijon të jetë në funksion vetëm për transportin e mallrave deri në një vendim për rikthimin e transportit të pasagjerëve në rrugë detare.

Por, referuar të dhënave statistikore të punës së kryer në këtë terminal gjatë kësaj periudhe, bëhet e ditur se numri i kamionëve dhe trailerave, si dhe sasia e mallrave të përpunuar nga tragetet ka pësuar një rritje graduale nga muaji prill në maj 2020.

Rënia e shifrave ishte më e ndjeshme gjatë muajit prill, kur për shkak të pandemisë nga COVID-19, tragetet kryen vetëm 31 lundrime vajtje – ardhje nga/drejt Durrësit, bëhet e ditur nga Sektori i Statistikave në APD.

Gjatë muajit prill tragetet kanë transportuar 3 344 kamionë dhe trailerë me afro 44 mijë ton mallra, një shifër e ulët krahasuar me periudhat e punës normale në portin më të madh të vendit.

Ndërkaq shifrat e muajit maj dëshmojnë për një rritje të numrit të lundrimeve që arrijnë në 38 gjithsej, si dhe të kamionëve me mallra. Gjatë muajit që lamë pas, tragetet kanë transportuar 5 445 kamionë dhe trailerë me 69 mijë tonë mallra gjithsej, shifra më të larta se sa muaji paraardhës.

ATSH