Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja ka dhënë sot lajmin e mirë që Elbasani do të jetë në qendër të vëmendjes në Tourism Travel Show Albania 2025. Kjo pasi për dy ditë do të jetë pjesë e panairit Tourism & Travel Show Albania, Panairi i Vetëm i Turizmit në Shqipëri, që do të mbahet në datat 12-13 shkurt në Pallatin e Kongreseve, Tiranë.
Kryebashkiaku Llatja, thekson se në këtë panair të rëndësishëm do të kenë mundësinë të prezantojnë potencialin turistik të Elbasanit, në një event që bashkon mbi 90 ekspozues dhe blerës nga 18 shtete.
Z.Llatja vë theksin se “kultura, natyra dhe mikpritja elbasanase është gati për t’u zbuluar nga bota”.
Historia, trashëgimia kulturore dhe bukuritë natyrore janë asetet kryesore të qytetit të Elbasanit në zhvillimin e turizmit.
Për vizitorët në këtë panair, qyteti i Elbasanit do të pasqyrojë pikat më të bukura, traditat nga kohërat e lashta e deri te ballokumet e Elbasanit, të cilat përgatiten për Ditën e Verës.
“Gjinari”, “Funari”, “Busheku”, “Labinoti Fushë”, “Krasta e Madhe”, “Llixha”, fshehin perla për vizitorët, që të shoqëruara me histori dhe legjenda shumë shekullore, janë origjinale në specifikat e tyre.
Janë këto edhe shumë arsye të tjera që Elbasani është një nga qytetet më të preferuar për turistët e huaj, dhe për këtë arsye Elbasani po shihet si një destinacion për të zgjatur kohën e turistëve, jo vetëm në bregdet.
Pastaj është pjesa e turizmit të aventurës ku së fundmi zhvillohet rafting në lumin Shkumbin dhe është përgjatë gjithë vijës Egnatia.
Aty ndodhet kanioni i Valëshit me një lartësi 22 m dhe mosha e tij 300 vjeçare.
Në vetëm 9 kilometra në jug të qytetit në Luginën e lumit Shkumbin ndodhet Byshku në fshatin Shushicë, i cili ka një burim karstik me një rrjedhje prej 70 litra ujë në sekondë. Është një pikë turistik me burime të shumta ujore. Njihet si parku piktoresk me rrape 600 vjeçare. Ky fshat në vitin 1431 kishte 280 shtëpi sipas regjistrave turk.
Në qytet ndodhet Muzeun Etnografik, Kështjella e qytetit, Xhamia Mbret , galeria e arteve, teqeja e madhe, Kombinati metalurgjik i cili është përfshirë në guiden turistike.
Por gjithashtu Llixhat 12 km në jug të Elbasanit që është një nga qendrat hidrotermale më të rëndësishme të Shqipërisë më përdorim kurativ, ku temperaturat e ujit janë deri 56 gradë.
Ecja në natyrë në zonat malore siç është Gjinari, është një nga atraksionet të cilat Elbasani i ofron. Në Funar pranë liqeneve janë hapur shtigjet për ecje si edhe për hedhjen me parashutë.
Panairi ka për qëllim të promovojë Shqipërinë duke u përqendruar në turizmin e kohës së lirë, atë të konferencave dhe eventeve të korporatave nga e gjithë bota.
Turizmin dixhital dhe turizmin mjekësor, i cili po zhvillohet gjithmonë e më tepër në vendin tonë.
Një nga shtyllat kyçe të suksesit të panairit është eventi B2Balkan Marketplace, i cili do të mbahet ditën e parë të panairit, më 12 shkurt. Ky event ka disa muaj që organizohet në bashkëpunim me bashkëpunëtorin tonë New Deal Europe, i cili ka rekrutuar numrin më të lartë të blerësve turistikë ndërkombëtarë të ardhur në Shqipëri. Të gjithë blerësit janë regjistruar në platformën digjitale b2balkan.com dhe janë njohur me të gjithë ekspozuesit dhe shitësit e produkteve turistike, duke skeduluar edhe takimet që do të kenë në panair.
Më 12 shkurt, rreth 40 blerës ndërkombëtarë nga 18 shtete të botës do të jenë në panair për të zhvilluar takimet e tyre të skeduluara. Grupi i blerësve do të marrë pjesë në disa aktivitete të organizuara nga Iceberg Exhibitions, si Darka e Mirëseardhjes, Mbrëmja për Networking, dhe evente të tjera të dedikuara për krijimin e lidhjeve profesionale.
Një element i rëndësishëm i vizitës së këtij grupi është udhetimi familjarizues (Fam Trip), që do të organizohet në ditën e dytë të panairit. Blerësit do të nisen në një itinerar të përzgjedhur, duke eksploruar Shqipërinë përmes një eksperiencë të kuruar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit. Pra, qëndrimi i tyre në Shqipëri nuk është thjesht një vizitë takimesh biznesi, por një skenar i plotë promovimi për vendin tonë, duke kombinuar mundësitë e biznesit me eksplorimin e destinacioneve turistike.
Edlira Xherri Elbasaninews.al