Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste zhvilloi sot në ambientet e Kuvendit, një dëgjesë me kërkesë të Rektorit të Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku, lidhur me 24 masa sigurie pa gjyq për stafin dhe pedagogët e universitetit.
Gjatë fjalës së tij, Sallaku deklaroi se “ne nuk komentojnë asnjë vendim të drejtësisë, por besojmë që do të ketë një proces të ndershëm”.
Ai tha se, “stafi i pedagogëve ka nisur betejën ligjore dhe uron që çdonjëri nga ata të demostrojë dhe faktojë se kanë vepruar duke zbatuar ligjin. UBT është në një proces ndërkombëtarizimi që ka filluar këto tre vite me një nga universitetet më të mirë në Europë dhe ne e kemi detyrim të sqarojmë partnerët tanë pasi kemi filluar një reformë”.
“Unë jam i gatshëm të shkoj në çdo grupim, të sqaroj këto gjëra. Edhe nëse Komisioni Parlamentar i Arsimit më thërret, jam gati të shkoj dhe të flas. Unë nuk mbroj asnjë person që mund të ketë abuzuar. Kam shumë besim se Universiteti Bujqësor do të ringrihet”, tha ai.
GJKKO vendosi 24 masa sigurie për stafin e Universitetit Bujqësor, 5 arrest me burg, 10 arrest shtëpie dhe 9 detyrim paraqitjeje, me dyshimet për abuzim me tendera e korrupsion.
Sallaku vuri në dukje se, “në rastin e arsimit të lartë është shumë i rëndësishëm imazhi krijimi i besimit, marrëdhëniet me partnerët, pasi bëhet fjalë për një universitet që ka nevojën për të bindur të rinjtë që të studiojnë në këto programe”.
Me lejoni të sqaroj dy pozicione, theksoi ai, “unë nuk mbroj asnjë person i cili mund të ketë abuzuar dhe ia lëmë drejtësisë të veprojë dhe kam besim që UBT jo vetëm që do ringrihet pasi ne kemi pasur shumë sfida. Ne jemi ringritur në vitet 1990, kur askush nuk donte të studionte bujqësi, jemi ngritur më 1997, kur UBT u shkatërrua tërësisht, jemi ringritur në 2013 kur askush nuk studionte në UBT dhe tashmë jemi futur në një rrugë, që është e vetmja rrugë që universiteti duhet të funksionojë në Shqipëri. Ne kemi nisur reformën më të thellë në universitete”.
Ai tha se, “UBT po përgatitet që brenda muajit mars të ketë gati ofertën e re akademike sipas modelit të BOKU-s, që është ndër universitet më të kërkuara në Europë. Ajo që po bëjmë me BOKU nuk është një projekt, por është ristrukturim total që nis nga oferta akademike dhe deri tek menaxhimi administrativ”.
“Ne do ta përshpejtojmë modulin e administrimit të administratës me qëllim krijimin e strukturave të qëndrueshme. Unë ju garantoj që UBT i ka kapacitet dhe vlerat dhe vendi është me fat që ka një Universitet Bujqësor”, u shpreh Sallaku, teksa vuri në dukje se UBT po kthehet në një qendër rajonale. /j.p/atsh



























