Në sallën e bibliotekës, të tejmbushur si asnjëherë tjetër me intelektualë, pedagogë, njerëz të kulturës dhe artit në qytet, ish- normalistë, dashamirës të librit etj, u promovua libri më i fundit biografik i studiuesit Eduart Hoxholli.

Profesor Abdyl Kajanaku ishte këtë herë personaliteti të cilin autori e kishte sjellë në të gjitha dimensionet e tij; personale, familjare, intelektuale, pedagogjike, atdhetare etj.

Profesor Kajanaku është arsimtari dhe pedagogu i cili ka lënë gjurmë dhe ka hedhur themele të sistemit arsimor në Normalen e Elbasanit, në praktikat dhe kurrrikulat mësimore, në trajnimet e arsimtarëve të rinj etj.; kontributi dhe rëndësia e punës së tij i kalon kufijtë gjeografikë.

Të pranishmit në takim sollën dhe përjetuan emocione teksa e rikujtonin profesor Abdylin, si njeri me vizion të gjerë e mendje hapur, si “mësuesi i çdo kohe, si mësuesi që i bëri mësues”.

Në këtë takim, mësuese Migena Kapllani kishte përgatitur një analizë të detajuar të librit, ku njëherazi evidentonte dhe penën mjeshtërore të autorit, z. Hoxholli, i cili sillte në libër detaje të imtësishme jo vetëm për Abylin dhe punën e tij, por edhe për Elbasanin dhe elbasanasit e viteve kur jetoi prof. Kajanaku.

Në fund të takimit, i biri, Fatjoni, dhuroi një kopje të librit për të gjithë të pranishmit. I urojmë autorit jetë të gjatë dhe e mirëpresim në biografi të tjera ineresante dhe me vlerë për qytetin.