Gjatë zhvillimit të këtij eventi, arkitektët do të ndajnë eksperiencat si dhe do të diskutojnë mbi sfidat e zhvillimit urban e social të ditëve të sotme, si edhe për të kontribuuar për formulimin e politikave dhe masave në funksion të transformimit të madh të vendit tonë, si Europa e Ballkanit.
Në fillim të fjalës së tij, kryeministri Edi Rama, i pranishëm në këtë event u ndal te mbledhja e këtij festivali në një ditë të shenjtë Bajrami.
“Sot është festë kombëtare që pritet nga të gjithë shqiptarët, pavarësisht besimit të tyre. Është një ditë e rrënjosur me në një histori që u përket myslimanëve, të krishterëve, hebrenjve dhe ndoshta për mbi të gjitha kujtesës së përbashkët shpirtërore të njerëzimit. Një histori që rrugëton në kohë, nëpër besime e gjeografi dhe mbërrin me një rëndësi dhe vlerë të patjetërsueshme në zemër të asaj ku jemi sot”, tha Rama.
Ndërsa shpjegoi simbolikën e fuqishme që mbart kjo ditë, Rama u shpreh se kjo festë simbolizon momentin që sprovon thelbin e besimit.
“Ibrahimit i vjen një vizion në traditën islame. Ky vizion vazhdon përsëritet për disa netë dhe aty në këtë besim, kur një ëndërr përsëritet resht që qeni një ndihmë, por shndërrohet në një gëzim, në një mesazh, në një urdhër hyjnor: ‘Sakrifiko tët bir, Ismailin’. Babai nuk e fsheh, ja çon të birin. E kështu, at e bir ecin drejt së pamendueshmes, jo me frikë, por në paqe. Drejt momentit që do të sprovojë thelbin e besimit. Jo bindje e verbër, por besim rrënjësor. E ashtu si në momentin që ngrihet tehu, shfaqet një qingj, sakrifica orientohet tjetërkund dhe profecia përmbushet jo përmes vdekjes, por dorëzimit. Sepse ajo çfarë ishte në altar atë ditë nuk ishte një fëmijë, ishte egoja”, tha Rama.
Rama tha se “posesiviteti, iluzioni i kontrollit dhe çfarë mbeti ishte oferta më e qëndrueshme nga të gjitha, lidhja midis ëndrrës dhe besimit për ta çuar përpara”.
Kryeministri u shpreh se “ky është kuptimi që kremtojmë sot”. “Jo ritualin, por mëshirën, jo thikën, por mëshirën, jo pushtetin për të marrë, por hirin për të dhënë, jo ofrimin e mishit, por të vetes”, tha ai.