ATSH/ Drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor Rural, Ardita Kuçi tha sot se “bankat e nivelit të dytë kanë nënshkruar marrëveshje me Bankën e Shqipërisë për sa i përket kredisë së butë që në janar të këtij viti”.

Në një intervistë televizive, Kuçi tha se “janë 250 milionë euro të dhëna nga Banka e Shqipërisë për bankat e nivelit të dytë. Janë për bizneset e vogla e të mesme në të gjitha fushat me fokus në bujqësi, por nuk përjashtojnë asnjë fushë tjetër. Sa i përket garancisë sovrane që ka kaluar me aktin normativ të javës së shkuar, kjo garanci është e fokusuar vetëm në sektorin e bujqësisë”.

Kuçi tha se “30 milionë euro të kombinuara me kredinë e butë të Bankës së Shqipërisë i shërbejnë vetëm sektorit të bujqësisë”.

“Në takimin që kemi patur me ministren e Bujqësisë dhe atë të Financave dhe në prani të bankave të nivelit të dytë dhe të Bankës së Shqipërisë është diskutuar në parim një draftmarrëveshje, e cila do të nënshkruhet mes Ministrisë së Financave dhe bankave të nivelit të dytë, pasi është kjo mënyra si operohet në një garanci sovrane shtetërore. Drafti mbyllet për dy javë dhe do të nënshkruhet edhe nga bankat e nivelit të dytë”, u shpreh Kuçi.

Më tej, Kuçi u shpreh se “bankat në krye të çdo jave do të kenë një raportim me Ministrinë e Bujqësisë dhe AZHBR-së, sepse do të nënshkruajmë edhe një marrëveshje mirëkuptimi me bankat në mënyrë që të shikojmë se ku janë fermerët, që ne po informojmë dhe orientojmë për skemën e garancisë, që të drejtohen në bankat e nivelit të dytë dhe si po vazhdon marrëdhënia e tyre me bankat dhe këtë do ta kuptojmë nga raportimet”.

“Ne këtë raportim e kemi edhe për kredinë e butë dhe shohim si po ecën procesi i aplikimeve në bankat e nivelit të dytë dhe i disbursimeve dhe kjo do vazhdojë edhe me garancinë sovrane”, tha Kuçi.

/k.s//r.e/a.f/