/ATSH-AFP/ – Lalo Schifrin, kompozitori i muzikës për filmin “Mission Impossible” dhe filma të tjerë të famshëm si “Bullitt” dhe “Starsky and Hutch”, vdiq në moshën 93-vjeçare, sipas disa mediave amerikane.

Vdekja e tij u konfirmua nga djali, Ryan Schifrin.

Një shtetas amerikan i natyralizuar, Schifrin ishte pianist dhe dirigjent që bëri emër në kinema, duke kompozuar kolonat zanore për mbi 100 filma.

”Veprat e tij i kanë sjellë gjashtë nominime për çmimin Oscar, dhe ai u vlerësua me një çmim Oscar Nderi në vitin 2018 për arritjet e tij gjatë gjithë jetës – një çmim i dhënë vetëm dy kompozitorëve të tjerë, Ennio Morricone dhe Quincy Jones”, sipas Deadline.

Veprat e tij përfshijnë muzikën minimaliste për ndjekjen e famshme të Mustang nga Steve McQueen në “Bullitt”, sinkretizmin e “Dragon”, funk-un avangard të “Dirty Harry” dhe përzierjen e xhazit, muzikës folk dhe simfonike në “Cool Hand”.

Por, muzika e tij më e famshme mbetet ajo e “Mission: Impossible”, me motivin e saj përsëritës dhe të sinkopuar.

Kjo temë muzikore, e kompozuar për serialin televiziv të viteve 1960, ka pësuar variacione të shumta, duke kulmuar në tetë filmat artistikë me protagonist Tom Cruise si agjenti Ethan Hunt.

Kënga kryesore i fitoi kompozitorit dy çmime Grammy – ekuivalenti muzikor i çmimeve Oscar – midis shumë çmimeve që ai fitoi gjatë gjithë karrierës së tij.

Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit menjëherë i bëri homazh atij në X.

“Numërimi mbrapsht fillon. Fitili ndizet. Muzika fillon dhe papritmas je i zhytur në aksion. Ky ishte gjenialiteti i Lalo Schifrin”, përmblodhi ajo.

Një muzikant vizionar, Lalo Schifrin u përvetësua nga artistë hip-hop dhe elektronikë si Portishead.

Swing, pop, funk, bossanova dhe muzikë dymbëdhjetëtonëshe: të gjitha këto ritme të integruara në partiturat e tij i dhanë muzikës së tij një modernitet të paprekshëm, siç dëshmohet nga “Tingulli i Lalo Schifrin”, një antologji e veprës së tij e publikuar në vitin 2016./  a.jor.