ATSH/ Në këto ditë vere me temperatura ekstreme, kujdesi për shëndetin bëhet edhe më i rëndësishëm.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka përcjellë sot këshillat e një prej mjekeve të Institutit të Shëndetit Publik, Genta Qirjako.
Mjekja Qirjako këshillon të gjithë qytetarët, po sidomos kategoritë më të rrezikuara që janë fëmijët, të moshuarit apo pacientët me sëmundje kronike që të pinë sa më shumë ujë, edhe nëse nuk janë të etur dhe të ushqehen shëndetshëm me dietë të pasur me fruta dhe perime të stinës.
Qirjo bën thirrje që të qëndroni në ambiente të freskëta dhe shmangni qëndrimin në diell gjatë orëve të pikut (11:00 – 16:00).
“Konsumoni ushqime të lehta dhe të pasura me lëngje. Përdorni krem mbrojtës për lëkurën dhe vishni rroba të lehta e ngjyrë të hapur. Kujdes i veçantë për fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike”, tha Koçiu në një postim në rrjetet sociale.
Ministrja Koçiu pohoi se ekipet shëndetësore në të gjithë vendin janë në terren për të ofruar ndihmën e nevojshme, në çdo rast.
“Në këto ditë të nxehta, të gjithë duhet të jemi më të kujdesshëm për të mbrojtur shëndetin tonë. Temperaturat e larta përveçse mund të jenë një shqetësim, shpesh janë të rrezikshme për shëndetin tonë, veçanërisht për ato grupe individësh që janë në risk më të lartë siç janë fëmijët, të ëmoshuarit apo pacientët që vuajnë nga sëmundje të tjera”, tha Qirjako.
Mjekja e ISHP-së u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë të kujdesshëm, të shmangin daljet në oraret pikut të nxehtësisë, të qëndrojnë në mjedise të freskëta, të pinë sa më shumë ujë, të ushqehen shëndetshëm me fruta dhe perime, të vishen lehtë, të përdorin kapele, syze dielli apo kremra mbrojtës.
“Le të kujdesemi të gjithë së bashku për të pasur një shëndet më të mirë në këto ditë të nxehta vete”, tha Qirjako.
/e.i//a.f/