Shtëpia e ankandeve Julien’s Auctions përjetoi një moment të pazakontë emocional disa ditë më parë, kur Renae Plant, koleksioniste dhe themeluese e Muzeut të Princeshës Diana, shpërtheu në lot dhe ra në dysheme nga emocionet, pasi arriti të bëjë të sajin fustanin blu me lule të markës Bellville Sassoon, të njohur si “Fustani i Kujdesit” (Caring Dress).

Kjo është një nga veshjet më të dashura të Princeshës Diana, të cilin ajo e kishte veshur të paktën nëntë herë gjatë fundit të viteve ’80 dhe fillimit të viteve ’90.

Për këtë veshje të veçantë, Plant pagoi 400,000 dollarë nga gjithsej 1.9 milionë dollarë që shpenzoi për të blerë 35 objekte personale të princeshës në një ankand të vetëm, të mbajtur më 26 qershor në Los Angeles

Koleksionistja rrëfeu se për të realizuar këto blerje, ajo dhe bashkëshorti i saj hipotekuan sërish shtëpinë. “Kur i shoh të ofrojnë kaq pak, e di që nuk do të jenë në gjendje ta mirëmbajnë këtë trashëgimi. Ne nuk jemi të pasur — të gjitha fondet vijnë nga donacione. Ne gjithmonë e hipotekojmë shtëpinë tonë kur e bëjmë këtë,” tha ajo për revistën People, duke shtuar se kjo është hera e tretë ose e katërt që marrin një vendim të tillë.

 

“Fustani i Kujdesit”, i quajtur kështu sepse Diana e vishte shpesh gjatë vizitave në spitale, ka një domethënie të veçantë për Plant. Ai përfaqëson një lidhje personale me princeshën, që daton nga një moment i shkurtër, por i paharrueshëm gjatë një turneu në Australi, ku Plant, atëherë 18 vjeç, pati rastin ta takonte Dianën. Ky takim i ndryshoi jetën dhe e frymëzoi ta përkushtojë jetën e saj ne ruajtjen e trashëgimisë së princeshës.

“Ndjej se ky fustan – Fustani i Kujdesit – pasqyron në mënyrë të përsosur mirësinë e saj, empatinë, humanizmin, gjithçka që përfaqëson muzeu ynë dhe gjithçka që bëjmë,” shpjegoi ajo.

Plant e lançoi muzeun online në vitin 2019. Sot, koleksioni i saj përfshin mbi 2,700 objekte personale dhe historike të Princeshës Diana dhe konsiderohet një nga më të mëdhenjtë në botë i këtij lloji. Në muajt në vijim, ajo planifikon ta ekspozojë koleksionin në vende të ndryshme të botës përmes ekspozitave të përkohshme.

Megjithatë, ëndrra më e madhe e saj mbetet: “Ta kthejmë koleksionin në Britani, aty ku i përket, në një vend të përhershëm ku do të gëzojë respekt dhe nder, pasi ne të mos jemi më.”

Ajo e përshkruan veten si një lloj tjetër koleksionisteje: “Disa njerëz blejnë objekte për t’i veshur. Ky nuk është rasti për ne. Ne jemi të përkushtuar për të ruajtur objekte historike dhe për të treguar historinë e Dianës dhe trashëgiminë e saj për brezat që do të vijnë.”

Top Channel