Agjencia e Shërbimeve Publike në Bashkinë Elbasan vijon prej disa ditësh pastrimin e përroit të Manazderes, një nga dy përrenjtë kryesorë që përshkojnë qytetin. Ky përrua buron nga malësia e Shkumbinit të Sipërm dhe sjell një sasi të konsiderueshme inertesh, sidomos gjatë reshjeve të dendura.
Një tjetër problem serioz ka qenë edhe hedhja e mbetjeve urbane. Edhe pse ndërhyrjet nga shërbimi i pastrimit janë të përditshme, madje në këtë zonë pastrimi bëhet dy herë në ditë, qytetarët ende nuk janë sensibilizuar mjaftueshëm dhe vijojnë të hedhin mbetjet në përroin e betonuar.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ishte sot në vendin ku po kryhet pastrimi i fazës së dytë të këtij përroi. Ai deklaroi se Bashkia ka nisur monitorimin me kamera pranë koshave të mbetjeve dhe përgjatë zonave problematike për të evidentuar rastet e hedhjeve të paligjshme të mbetjeve. Llatja nënvizoi se do të ndërmerren edhe masa administrative ndaj qytetarëve që shkelin rregullat.
“Dua të bëj një apel të drejtpërdrejtë për qytetarët: mbetjet t’i hedhin në koshat përkatës, aty ku e kanë vendin, e jo më në përroin e Manazderes. Kjo zonë pastrohet dy herë në ditë. Për ta mbajtur të pastër, duhet bashkëpunimi i të gjithëve,” u shpreh Llatja.
Kjo është faza e dytë e pastrimit të përroit të Manazderes. Pjesa e parë është realizuar në segmentin që nis nga bregu i lumit Shkumbin, ndërsa aktualisht po pastrohet segmenti i sipërm, i cili ka qenë një problem për banorët e zonës përreth.