Ka nisur në Hagë procesi gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku mbrojtja po prezanton dëshmitarët e saj.
Dëshmitari i parë është James Rubin, ish-Nënsekretar i Shtetit dhe krahu i djathtë i Madeleine Albright.
Në dëshminë e tij Rubin kujtoi se në Kosovë për herë të parë kishte ardhur gjatë kohës së luftës në Kroaci dhe në Sarajevë – dhe se “të vetëdijshëm që konflikte të tilla mund të shtriheshin përtej”, tha se ka vizituar Kosovën dhe është takuar “një apo dy herë” me ish-Presidentin Ibrahim Rugova.
“Kam vizituar në periudhë 1991, 1992, 1993, përpara luftës Kroaci-Serbi, dhe më pas kam vizituar Sarajevën gjatë sulmeve po ashtu dhe gjatë luftës në Bosnje. Kam qenë në disa qytete dhe po ashtu në fund fare kam shoqëruar senatorin Biden në pranverën e vitit 1993.
Gjatë luftërave në atë kohë në Kroaci, Serbi, Bosnje, këto kanë qenë fokuset, vendet përkatëse. Duke qenë të vetëdijshëm që konfliktet e tilla mund të shtriheshin më tej ne e kuptuam që ajo që po ndodhte në Kosovë ishte e rëndësishme. E kam vizituar Prishtinë 2-3 herë, jam takuar një herë apo dy herë me Rugovën”, tha Rubin.
Rubin u ndal gjatë në përvojën e tij me Hashim Thaçin, për të cilin tha se kishte qenë një moment kyç kur u kuptua se ishte lider i delegacionit shqiptar dhe pjesë e UÇK-së.
“Nuk njihnim mirë strukturat e UÇK-së. Kur arritëm aty e kuptuam që udhëheqësi i delegacionit shqiptar ishte i inkuadruar në UÇK. Folëm për takimin me Thaçin në Rambuje. Në kuadër të takimit ai më njohu menjëherë për shkak të TV. Albright më tha që të rrija me të, ta njihja Thaçin më mirë. Gjatë gjithë javës unë kam ndejtur me të, jena takuar, kemi pi kafe, çaj e cigare. Thaçi nuk fliste anglisht në këto rrethana ne komunikonim përmes gjuhës se trupit. Në nivel diplomatik ka pasur përkthyes”, tha ai.
Top Channel