Me nisjen e fushatës së vaksinimit antigrip në 22 shtator, në të gjithë qendrat shëndetësore në vend, qytetarë të shumtë janë paraqitur për ta kryer falas këtë vaksinë.

Vaksina antigrip, mbetet e vetmja mbrojtje për veten, familjen dhe çdo person tjetër që është i ekspozuar ndaj virozave që qarkullojnë me ardhjen e vjeshtës dhe uljen e temperaturave.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale përcolli sot thirrjen e tri mjekeve në Qendrën Shëndetësore Nr.1 në kryeqytet.

Mjekja Natasha Çela pranë Qendrës Shëndetësore Nr.1 në Tiranë u shpreh se me hyrjen e vjeshtës shtohen problematikat e virozave stinore. Për këtë arsye, sipas saj, MSHMS i siguron falas qytetarëve vaksinimin.

“Vaksinimi i personave të moshës mbi 50-60 vjeç. Të gjithë pacientët që kanë sëmundje imune apo probleme kardiovaskulare apo respiratore është mirë që të vaksinohen sepse kjo do i mbrojë nga çdo komplikacion i rëndë pas virozës”, shprehet Çela.

Sipas mjekes tjetër, Diana Hysi, pranë kësaj qendre shëndetësore, grupi më i rëndësishëm që janë të parët që duhet ta bëjnë vaksinën është grupi i personelit shëndetësor, pasi ata duhet të jenë të mbrojtur nga këto viruse për t’i shërbyer gjithë popullatës për sëmundjet virale dhe ato kronike.

“Të gjithë qytetarët ata që janë me diagnoza ata që kanë një moshë të madhe pavarësisht se nuk kanë diagnoza kronike, duhet të shkojnë pranë qendrave shëndetësore, të kontaktojnë mjekun e familjes dhe të bëjnë vaksinën”, vijon Hysi.

Një tjetër grup risku ndaj virozës së gripit, janë edhe fëmijët, sidomos ata që rikthehen në kopshte e shkolla apo që ekspozohen për herë të parë në komunitete të mëdha fëmijësh.

Mjekja Marinela Lena pranë Qendrës Shëndetësore Nr.1 sugjeron kryerjen e vaksinës antigrip për të gjithë fëmijët mbi 5 vjeç me sëmundje bashkëshoqëruese, si edhe ata që ekspozohen për herë të parë në ambiente me shumë fëmijë.

Sipas MSHMS, vaksinimi falas, i sigurt dhe i certifikuar, vijon në të gjitha qendrat e vaksinimit në mbarë Shqipërinë. 280 mijë doza janë të disponueshme, për të moshuarit, të rinjtë dhe fëmijët, pasi çdo vaksinë është një hap më pranë një jete më të shëndetshme.

Në kuadër të Programit Kombëtar të Vaksinimit, fushata kombëtare nisi në datën 22 shtator.

Për herë të parë, përmes platformës e-Albania, qytetarët mund të zgjedhin vetë kohën dhe vendin për vaksinimin kundër gripit, duke rezervuar online orarin dhe qendrën shëndetësore që preferojnë.

MSHMS, në udhëzimet e saj në nisje të kësaj fushate vaksinimi ka nënvizuar rëndësinë e kësaj vaksine, që mund të bëhet nga personat mbi 65 vjeç, të sëmurët kronikë, ata me probleme të sistemit kardiovaskular, të sistemit pulmonar dhe të sistemit renal. E këshillueshme është që vaksina të bëhet edhe nga gratë shtatzëna dhe fëmijët e moshës mbi gjashtë muajsh.

/e.i/j.p/