Në kuadër të procesit të Buxhetimit me Pjesëmarrje, Bashkia Elbasan zhvilloi një takim me banorët e Njësisë Administrative Labinot Mal, me qëllim përfshirjen e tyre në identifikimin e nevojave dhe prioriteteve të zhvillimit për vitin e ardhshëm. Në këtë takim mori pjesë Nënkryetari i Bashkisë Elbasan, z. Asim Sula, i cili theksoi rëndësinë e dialogut të drejtpërdrejtë me komunitetin për të ndërtuar projekte që pasqyrojnë vërtet nevojat e qytetarëve.
Gjatë takimit u prezantuan edhe investimet e rëndësishme që Bashkia Elbasan ka realizuar në territorin e Labinotit Mal dhe fshatrave përbërëse, si devijimi dhe hapja e rrugës së njohur si “Balta” në fshatin Gur i Zi, betonizimi dhe sistemimi i rrugëve në Sericë, si dhe pastrimi i rrugëve lidhëse nga qendrat e njësive administrative në fshatrat Shmil, Dritas dhe Qafë etj.
Këto ndërhyrje përfaqësojnë angazhimin e vazhdueshëm të Bashkisë Elbasan për zhvillimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në zonat rurale, duke forcuar lidhjen ndërmjet komuniteteve dhe duke mbështetur potencialet e tyre ekonomike.
Labinoti Mal njihet për traditën e bujqësisë, kultivimin e gështenjave e arrave, si dhe për mbarështimin e bletëve dhe prodhimin e mjaltit cilësor, ç’ka e bën këtë njësi të pasur në burime natyrore dhe me potencial për zhvillim të qëndrueshëm.
Në përmbyllje, Nënkryetari Asim Sula nënvizoi se “zëri i qytetarëve është themeli i çdo vendimmarrjeje të drejtë”, duke shtuar se Bashkia Elbasan do të vijojë të investojë në Labinot Mal dhe në çdo njësi tjetër me fokus në infrastrukturë, bujqësi dhe mjedis, për një zhvillim të qëndrueshëm dhe jetë më të mirë për banorët.
Në fund të takimit, banorët e Labinot Malit votuan për prioritetet kryesore të investimeve, të cilat do të shqyrtohen nga Bashkia Elbasan për t’u përfshirë në buxhetin e vitit 2026, duke vijuar kështu traditën e transparencës dhe përfshirjes qytetare në vendimmarrje.



























