Ajo pranoi së fundmi Çmimin e Inovatores Muzikore në ceremoninë “Wall Street Journal Magazine Innovator Awards” që u mbajt në Nju Jork.

Para se t’i dorëzohej çmimi, moderatori i njohur i mbrëmjeve televizive Stephen Colbert e falënderoi për lejimin “të publikonte një lajm të madh”.

“Ky është një veprim i jashtëzakonshëm”, tha Colbert. “Billie Eilish do të dhurojë të ardhurat nga turneu i saj “Hit Me Hard and Soft për të mbështetur organizata, projekte dhe zëra që merren me barazinë ushqimore, drejtësinë sociale, reduktimin e ndotjes dhe luftën kundër krizës klimatike.

Shuma e dhuruar është 11,5 milionë dollarë.”

“Është fantastike”, shtoi ai. “Billie, në emër të njerëzimit, të falënderojmë shumë”.

Më pas, Eilish doli në skenë për të marrë çmimin dhe u drejtua miliarderëve të pranishëm në sallë – mes tyre raportohet se ishte edhe Mark Zuckerberg.

“Po jetojmë në një kohë kur bota është shumë, shumë e keqe dhe e errët, dhe njerëzit kanë nevojë për mëshirë dhe ndihmë më shumë se kurrë, sidomos në vendin tonë”, tha ajo. “Nëse ke para, do të ishte mirë t’i përdorje për gjëra të mira, ndoshta t’ua japësh atyre që kanë nevojë”.

“Ju dua të gjithëve, por disa prej jush këtu kanë shumë më shumë para se unë”, shtoi Elish me humor

Duke iu drejtuar drejtpërdrejt miliarderëve, ajo pyeti: “Nëse je miliarder, pse je miliarder? S’kam urrejtje, por, po, jepini paratë tuaj”.

Në fund, ajo shprehu sërish dashurinë dhe mirënjohjen për të pranishmit. /Ad.Ab.