Armëpushimi në Lindjen e Mesme po mbahet, edhe pse sulmet e vazhdueshme të forcave izraelite (IDF) në Gaza kanë rritur tensionet në terren.
Duke nisur nga sot, kalimi kufitar Zikim, që lidh Izraelin me Gazën veriore, do të rihapet për hyrjen e ndihmave humanitare në Rrip. Lajmi u konfirmua nga COGAT, organ i Ministrisë së Mbrojtjes izraelite që merret me çështjet civile në territoret palestineze.
Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, ka komentuar situatën duke theksuar rolin jetik të misionit UNIFIL në ruajtjen e stabilitetit rajonal. “Misioni UNIFIL është një shtyllë themelore për sigurinë dhe stabilitetin në gjithë Lindjen e Mesme. Për këtë arsye, duhet vlerësuar me kujdes mënyra dhe koha e një tërheqjeje të mundshme, ose alternativisht garantimi i një pranie të re dhe më të fortë ndërkombëtare që të vazhdojë trashëgiminë e tij”, deklaroi ai
Krahas kësaj, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, njoftoi në rrjetin X se kamionët italianë tashmë kanë hyrë në Gaza për të ofruar ndihma për civilët. “Italia do të vazhdojë të ndihmojë në çdo mënyrë të mundshme ata që ende vuajnë,” shkroi ai.
Në Izrael, ndërkohë, skena politike ka marrë një kthesë të rëndësishme. Knesseti votoi për herë të parë pro vendosjes së dënimit me vdekje për terroristët, një hap që pritet të ndezë debate të forta brenda dhe jashtë vendit, në një moment kur rajoni ndodhet nën presion të madh diplomatik dhe humanitar.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ndjek me shqetësim zhvillimet e ditëve në vijim.
Top Channel



























