Një ligj i ri në Sllovaki që synon përmirësimin e sigurisë në trotuare, duke vendosur një kufi maksimal shpejtësie për të gjithë përdoruesit e tyre – përfshirë këmbësorët – ka shkaktuar tallje dhe zemërim në publik

Qeveria akuzohet se po kufizon liritë individuale me masa të tilla të ashpra.
Sipas ligjit, që pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2026, të gjithë përdoruesit e trotuareve – nga këmbësorët te çiklistët dhe drejtuesit e skuterëve – nuk duhet të kalojnë shpejtësinë 6 km/orë. Shkelësit do të gjobiten me 100 euro.
“Me një limit maksimal prej 6 km/orë, është pothuajse e pamundur të mbash ekuilibrin. Edhe fëmijët 3 ose 4 vjeç e tejkalojnë këtë shpejtësi me biçikletat e tyre”, tha për AFP Dan Kolar, president i organizatës Cyklokoalicia, e cila mbështet lëvizshmërinë e qëndrueshme. Ai e quajti legjislacionin “absurd” dhe paralajmëroi se “fëmijët do ta shkelin ligjin çdo ditë, duke mësuar se kjo është e pranueshme”.
Vendimi ka ngjallur reagime të forta edhe në rrjetet sociale, ku përdoruesit kanë shpërndarë imazhe satirike, si p.sh. radarë që sinjalizojnë një këmbësor që ecën me 6.2 km/orë dhe e paralajmërojnë të “ngadalësojë”, apo “leje të rreme për të ecur”. Një grup qytetarësh me emrin “Nënat ne ankth” i ka bërë thirrje Presidentit Robert Fico që të mos e nënshkruajë dhe ratifikojë ligjin.
Sipas të dhënave të policisë, vitin e kaluar në Sllovaki humbën jetën 67 këmbësorë dhe 22 çiklistë ose drejtues skuterësh në aksidente, ndonëse nuk dihet nëse këto ngjarje ndodhën në trotuare apo në rrugë.
Që prej rikthimit të Kryeministrit Fico në pushtet në vitin 2023, qeveria e tij ka miratuar disa masa të diskutueshme që kufizojnë të drejtat individuale. Ndërkohë, Sllovakia mbetet një nga vendet me numrin më të lartë të makinave për frymë në botë.

Top Channel