Sipas banorëve, dëmet janë të shumta: sipërfaqe të mëdha me ullinj janë nën ujë, shpendë janë rrëmbyer nga vërshimi, ndërsa rezerva ushqimore për bagëtinë është dëmtuar.
Banorët, të trembur nga dalja e mundshme e lumit nga shtrati, kanë marrë masa emergjente për të mbrojtur familjet dhe pasurinë e tyre. Megjithatë, shumica prej tyre nuk i janë përgjigjur thirrjes së autoriteteve për evakuim, pavarësisht monitorimit të situatës nga strukturat përkatëse gjatë gjithë natës.
Kryeplaku i Ferrasit, Zani Hyka, tha se 19 prej banesave të prekura janë të banueshme, por ndodhen brenda argjinaturës së lumit, çka e bën prezencën e ujit të pashmangshme në situata të tilla.
Edhe pse niveli i Vjosës ka nisur të bjerë gradualisht, banorët mbeten të shqetësuar dhe në alarm, duke kujtuar përmbytjet e viteve të shkuara. Sipas tyre, lumi Vjosë nuk kishte dalë nga shtrati prej disa vitesh, ndaj kjo situatë i ka gjetur të papërgatitur dhe me frikën se reshje të tjera mund të përkeqësojnë gjendjen.
Autoritetet lokale vijojnë monitorimin e situatës dhe u bëjnë thirrje banorëve të ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencës për sigurinë e tyre.
Top Channel



























