Kirill Dmitriev, një diplomat dhe biznesmen rus me përvojë të thellë në SHBA, është bërë protagonist i spekulimeve ndërkombëtare pas një draft-plani paqeje që u diskutua në Miami me emisarin e veçantë të administratës Trump, Steve Witkoff.

Plani, i cili sipas burimeve i ngjan një “listë dëshirash” të Putinit, kërkon që Ukraina të dorëzojë territore të kontrolluara nga vetë dhe të reduktojë madhësinë e forcave të saj ushtarake. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka theksuar se çdo marrëveshje duhet të sigurojë “paqen dinjitoze, me kushte që respektojnë pavarësinë dhe sovranitetin e vendit”.

Dmitriev, i rritur në Ukrainë dhe pjesëmarrës i protestave pro-demokraci në Kiev, konsiderohet si një nga diplomatët rusë që kupton më mirë Ukrainën në Moskë. Ai është udhëheqës i Fondit Rus të Investimeve Direkte (RDIF) që nga viti 2011 dhe ka qenë gjithmonë në kontakt të drejtpërdrejtë me zyrtarët amerikanë, duke luajtur rol kyç në lirimin e një mësuesi amerikan nga burgu rus në 2025 dhe në dialogun ekonomik Rusia–SHBA

Megjithatë, reputacioni i Dmitriev është i diskutueshëm. Ai është kritikuar si “propagandist rus” nga Sekretari i Thesarit të SHBA, Scott Bessent, pas sugjerimeve se sanksionet ndaj firmave kryesore të naftës ruse mund të rrisin çmimet e karburantit në SHBA. Po ashtu, RDIF është shënjestruar me sanksione nga SHBA gjatë presidencës Biden për lidhje të dyshuara me aktivitetet e Putinit dhe oligarkët rusë.

Dmitriev është gjithashtu pjesë e rrjetit të Katerina Tikhonova, vajza e Putinit, përmes lidhjeve me bashkëshorten e tij, prezantuesen televizive Natalia Popova. Ai ka një profil të veçantë: diplomuar në Harvard, me eksperiencë në McKinsey dhe fonde investimesh në Ukrainë dhe SHBA, gjithmonë duke kërkuar mundësi komerciale dhe projekte strategjike midis Rusisë dhe Amerikës.

Ndërkohë që në Moskë reputacioni i tij po rritet, në Ukrainë ai shihet si një figurë e dyshimtë, ndaj të cilit janë vendosur sanksione për krime të pretenduara ndaj Ukrainës dhe ukrainasve. Pyetja mbetet: A është Dmitriev një propagandist i Putinit, apo një ndërmjetës i mundshëm për paqen mes Rusisë dhe Ukrainës?

Top Channel